Lifestyle

Lipa tregon hapat e parë në karrierë, flet për jetën në Kosovë  

Në moshën 15-vjeçare, Lipa bindi prindërit që të kthehej në Londër dhe të ndiqte karrierën muzikore. Ajo u kthye me një shoqe të saj dhe më pas erdhi momenti që të shkonte në shkollën e arteve

Këngëtarja kosovare që po shijon ditët më të suksesshme në karrierë, Dua Lipa, në një intervistë të fundit për “RollingStone” ka folur për prejardhjen e saj nga Kosova dhe familjen e saj.

Ajo ka treguar se prindërit e saj ishim emigrantë në Londër dhe punonin në restorante e bare të ndryshme.

“Ata kanë punuar shumë, shumë dhe teksa punonin, babai im shkonte në shkollë të natës për të marrë diplomë biznesi, më pas masterin në gazetari dhe më pas hyri në marketing. Nëna ime po shkonte për diplomë në juridik, para se të niste lufta dhe kur shkuam në Londër, ajo studioi udhëtimin dhe turizmin”, ka shpjeguar Lipa.

Këngëtarja me famë botërore ka treguar po ashtu se muzikën e ka dëgjuar vazhdimisht nga babai i saj, që udhëheq rok-grupin kosovar “Oda”. “Ata e bënin për qejf, por më pas bënë një këngë vërtetë të madhe të quajtur “Beso në diell”. Ka folur edhe për koncertin e dy viteve më parë në Kosovë ku tregoi se kishte vendosur ta befasonte babanë dhe të këndonte pikërisht këngën e tij. “Të gjithën në audiencë e këndonin këngën bashkë me ne”.

Ajo ka treguar se sapo ishte rritur familja ishte kthyer në Prishtinë, ndërsa për vete kishte probleme në të lexuar e të shkruar. “Kthimi atje ishte i frikshëm – fëmijët nuk bënin gabimet që bëja unë. Jo vetëm kaq, por të qenit vajzë e re në shkollë, të gjithë kishin tashmë shoqëritë e tyre. Ishte shkatërruese për nervat”.

Megjithatë, ajo ia doli dhe u kthye në hip-hop. Koncerti i parë i saj ishte Method Man dhe Redman e më pas ai i 50 Centit, transmeton Albinfo.ch.

Në moshën 15-vjeçare, Lipa bindi prindërit që të kthehej në Londër dhe të ndiqte karrierën muzikore. Ajo u kthye me një shoqe të saj dhe më pas erdhi momenti që të shkonte në shkollën e arteve.

“Më pas erdhi momenti ku mu desh të vendosja se çfarë doja të bëja për universitet, dhe nuk e dija. E dija që doja vetëm muzikën. Andaj thash ‘të marr një vit pushim dhe të shoh se çfarë po ndodhë’”, ka treguar Lipa.

Në këtë vit ajo mori hapat e parë drejt suksesit të madh dhe tani nuk ka të ndalur.

Së fundmi, Lipa fitoi dy çmime tejet të rëndësishme në Brit Awards. Ajo u bë Artistja më e mirë e vitit si dhe Depërtimi më i mirë i vitit, falë hiteve të shumta më 2017 dhe albumit debutues.