Kosova

Liria, pavarësia dhe diaspora

Shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë përgjigjja e dhënë e popullit shqiptar ndaj padrejtësive historike të ushtruara ndaj tij, ku si pikënisje para mbi një shekulli ishte fakti kur Shqipëria u njoh si shtet pa gjysmën e popullit të vet. Që nga shpërbërja e Perandorisë Osmane në Ballkan, shqiptarët jashtë kufijve të shtetit amë, Shqipërisë, ishin objekt i shtypjes mizore që shkoi deri në etnocid. Të tjerët u deportuan në forma të organizuara për në Turqi, dhe ndaj atyre që kishin mbetur u organizua stagnim kulturor, edukativ dhe ekonomik, me qëllim të shkrirjes së tyre afatgjatë dhe kufizimit të vullnetit të tyre demokratik për t’u emancipuar dhe për të qenë të lirë dhe autonom.

Por, asnjë metodë e shtypjes ndaj shqiptarëve nuk i prodhoi efektet e dëshiruara nga dominuesit, ato të nënshtrimit apo asimilimit. Përkundrazi, rezistenca e shqiptarëve dhe orientimi drejt mëvetësimit ishte përgjigjja e vetme që ata i dhanë dhunës dhe urrejtjes etnike të ushqyer institucionalisht ndaj tyre. Edhe pse me peripeci, kosovarët arritën t’i kanalizojnë energjitë dhe t’i mobilizojnë të gjitha forcat e tyre, duke bërë sakrifica të mëdha, me gjenerata të tëra, për ta arritur qëllimin e tyre, çlirimin nga dominimi politik kuazikolonial i Beogradit.

Shpallja e pavarësisë u bë po ashtu realitet falë ndërhyrjes perëndimore dhe kompromiseve politike që kosovarët bënë me faktorin ndërkombëtar. Por, ajo është vetëm pikënisje e një procesi të shtetndërtimit. Shijimi i lirisë që sjell pavarësia kërkon po ashtu përkushtim dhe krijim të mekanizmave të gjithanshëm juridikë dhe institucionalë për ta krijuar shtetin funksional dhe transparent të Kosovës. Ky përkushtim pikërisht e jetëson lirinë aq të dëshiruar, sikurse zhvillimin dhe stabilitetin politik. Kjo është e vetmja përgjigje për konkretizimin e vullnetit demokratik të shumëpritur të popullit të Kosovës dhe më gjerë, për mëvetësim.

Por, ndërtimi i shtetit në Kosovë ka hasur në gozhda. Kapja e tij nga një shtresë e politikanëve jokompetentë përbën një nga faktorët kryesorë të ngecjes në këtë rrugë. Mirëpo, edhe “toleranca” e treguar nga vendet perëndimore ndaj lidershipit të deritanishëm kosovar, në emër të paqes dhe stabilitetit të rajonit, ndikon po ashtu edhe në mosrreshtimin e Kosovës në frymën demokratike dhe moderne evropiane. Natyrisht, papërvoja dhe papjekuria politike, pasojat e luftës, nënzhvillimi i akumuluar socioekonomik dhe ndërhyrja e shumanshme politike e fqinjit verior me qëllime subverzive ndikojnë po ashtu në stagnimin e shtetndërtimit të Kosovës.

Dashuria ndaj Kosovës, por edhe realiteti sociopolitik i saj, është një çështje që e bren çdo pjesëtar të diasporës shqiptare. Kosova e përparuar është një dëshirë e pashuar e secilit mërgimtar shqiptar. Merita e diasporës shqiptare është e pakontestueshme në realitetin e krijuar historik kosovar, që rezultoi në shpalljen e pavarësisë. Prandaj, ky numër i revistës Albinfo.ch për këtë jubilar të dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë të Kosovës ua jep fjalën pikërisht pjesëtarëve të diasporës shqiptare, por edhe miqve zviceranë që po ashtu i duan shqiptarët dhe Kosovën, të cilët kanë kontribuar, secila apo secili në formën e vet, në ndryshimet demokratike të Kosovës.

Prandaj, në emër të ekipit redaksional dhe miqve të Albinfo.ch, ju urojmë ngrohtësisht këtë dhjetëvjetor festiv të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.