Kosova

Lirohen aktivistët e LVV

Aktivistët e arrestuar të LVV-së, janë liruar dhe kanë akuzuar policinë se po hesht për dhunën që po u bëhet grave.

Aktivistet e Lëvizjes Vetëvendosje të arrestuara dy ditë më parë nga Policia e Kosovës dolën në konferencë për media ku edhe treguan në lidhje me arrestimin e tyre. 

Ato u liruan sot pas 48 orëve që nga arrestimi i tyre. 

Në mesin e të arrestuarave ishte dhe deputetja Saranda Bugojevci. 

“Para dy ditësh ne hodhëm ngjyrë të kuqe në drejtim të ndërtesës së Policisë së Kosovës për të simbolizuar gjakun e grave që po vriten çdo ditë dhe që Policia po e lejon. Ne u arrestuam bashkë me tre shokë të tjerë ndaj të cilëve u ushtrua dhunë sikurse edhe ndaj deputetes Saranda Bogujevci. Prej të njëjtës polici e cila ua mbyll dyert grave që kërkojnë ndihmë”, tha Rina Zhitia. 

Sipas saj Policia e Kosovës është duke e trajtuar dhunën ndaj grave si diçka të mbyllur dhe private. 

“Ata nuk mund të guxojnë të heqin dorë nga kjo. Sigurinë e gruas njëjtë sikur të të gjithë qytetarëve duhet ta garantojnë organet përgjegjëse që po dështojnë çdo ditë.

Sigurisht keni dëgjuar për rastin që babai e dy djemtë i kanë rrahur nënën me dy motrat. Ky lajm u raportua para dy ditësh. Të tre këta janë liruar dje, në ora 18:00, pa proces gjyqësor. Ato tri gra mund të jenë ende të lënduara, me plagë të hapura por ata që ua shkaktuan plagët u liruan vetëm pas dy dite nga i njëjti vendi ku ironikisht po mbaheshim edhe ne. Pra, policia nuk është kundër dhunës. Policia është përkrahëse e dhunës”, shtoi, shkruan Albinfo.ch.