E-Diaspora

Lirohet kosovari që vrau polakun: Videot tregojnë se ishte në vetëmbrojtje

E veçantë për këtë proces gjyqësor ka qenë rrethana se kamera vëzhguese e ka filmuar të gjithë zhvillimin e ngjarjes në barin e Vjenës

Është liruar pasi është shpallur i pafajshëm për rastin e vrasjes me thikë të një polaku nga ana e një shqiptari të Kosovës, në Vjenë. Gjyqtarët porotë të Gjykatës së Landit në Vjenë i kanë falur besimin deklaratës së kosovarit se vrasjen e ka bërë në vetëmbrojtje.

Plot pesë orë u janë dashur gjyqtarëve porotë (laikë) që me 7 vota pro dhe 1 kundër të lirojnë kosovarin 34 vjeçar nga akuza për vrasje. Ndërsa 5 me 3 kanë qenë votat e tyre sa i përket cilësimit të këtij akti si vrasje në vetëmbrojtje, shkruan agjencia austriake e lajmeve APA.

Rasti tragjik ka ndodhur më 8 dhjetor të vitit të kaluar në një bar të lagjes Favoriten të Vjenës, transmeton albinfo.ch mediat austriake. Kosovari kishte vrarë moshatarin e tij polak dhe kishte plagosur rëndë  edhe një bashkatdhetar të polakut.

Duke qenë se prokurorja e rastit nuk ka dhënë asnjë deklaratë pas përfundimit të procesit, konsiderohet se vendimi i trupit gjykues ende nuk është i plotfuqishëm.

Sidoqoftë, i akuzuari është liruar aty për aty dhe i është dhënë mundësia që menjëherë të dalë nga ndërtesa e gjyqit si njeri i lirë.

E veçantë për këtë proces gjyqësor ka qenë rrethana se kamera vëzhguese e ka filmuar të gjithë zhvillimin e ngjarjes në barin e Vjenës. Dhe ky xhirim është emetuar edhe në sallën e gjyqit, përcjell albinfo.ch. Dy polakët kishin pirë shumë atë mbrëmje. 34 vjeçari tashmë i ndjerë ka pasur 2.5 promilë alkool në gjak ndërsa bashkatdhetari i tij 37 vjeçar madje, 4 promilë. Ata dy kishin treguar sjellje shumë agresive, siç është parë edhe në video. Aty dëgjohet po ashtu polaku duke i thënë kamerieres që u shërbente (e cila ishte në lidhje me kosovarin) se do ta vriste të dashurin e saj. Ajo ndërkaq ka bërë përpjekje për ta qetësuar.

Megjithatë, siç tregon videoxhirimi, kosovari e ka qëlluar me thikë pa qenë i sulmuar më parë. Pasi e ka goditur shtatë herë, ai ka vdekur në vendin e ngjarjes, transmeton albinfo.ch.. Pastaj ai ka goditur edhe polakun tjetërnë shpinë dhe në krahun e djathtë.

Para gjyqit ai ka deklaruar se i ka sulmuar ata nga frika që ka pasur prej tyre.