Maqedonia

Lirohet vrasësi i Almir Aliut, reagojnë liderët opozitarë Sela dhe Gashi

Në seancën e 15 marsit, Gjykata Themelore e Kumanovës ka dhënë verdiktin përfundimtar ku thuhet se bëhet rikualifikimi i lëndës së Almir Aliut, nga “vrasje” në “vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe mjeteve në komunikacion”. Kjo solli edhe lirimin e shtetasit Boban Iliq, përkundër filmimeve shkruan albinfo.ch.

“Jemi thellësisht të indinjuar, kur prokurori merr rolin e avokatit mbrojtës dhe shndërrohet në avokat”, tha lideri i ASH, Ziadin Sela, në një konferencë për shtyp kushtuar vendimit të djeshëm të Prokurorisë për rikualifikimine lëndës për rastin “Almiri i Vogël”, ku vrasësi i vogëlushit u lirua nga burgu dhe do të gjykohet për aksident trafiku dhe jo për vrasje, përkundër faktit që ekzistojnë video-incizime për të kundërtën, njofton albinfo.ch. “Jemi të indinjuar se shpresat për reformat u shuan. Një vrasës që ende pa dalë nga burgu hetues, kërcënoi një gazetar përsëri me vrasje, sot është i lirë.”

Sela tha se nuk beson në gjyqësorin e Maqedonisë dhe se prokurori i ri publik Ljubomir Joveski është i njëjti sikur ish prokurori Marko Zvërlevski.

Reagime për lirimin nga paraburgimi të vrasësit Boban Iliq ka pasur edhe nga kryetari i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi.

“Përveç punësimeve të zyrtarëve shtetërorë, të cilët ende përzgjidhen sipas përkatësisë etnike, dje gjykata edhe një herë dëshmoi se në Maqedoni edhe drejtësia në funksionon sipas kritereve etnike. Kur bëhet fjalë për shqiptarët, gjykatat dinë të japin edhe dënime me burg të përjetshëm, madje edhe pa asnjë dëshmi, ndërsa kur bëhet fjalë për një vrasës fëmije, edhe pse ekzistojnë dëshmi dhe video ku shihet akti makabër, ai lirohet vetëm sepse është maqedonas”, tha Afrim Gashi në lidhje me rikualifikimin e djeshëm për lëndën “Almir Aliu”.

Për lirimin e Boban Iliqit do organizohet një proteste në Shkup, në 21 mars.