Kosova

Lluka diskuton projekte konkrete me drejtuesit e Bankës Botërore në Uashington

Ministri Lluka në kuadër të vizitës zyrtare në SHBA ka diskutuar rreth financimit të projekteve zhvillimore në Kosovë, në veçanti projektin e Termocentralit “Kosova e Re”, projektin për Agrobiznes dhe projektin e Ekonomisë Digjitale.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pjesë e delegacionit nga Kosova ku bën pjesë edhe Ministri i Financave, Bedri Hamza, të shoqëruar nga Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, u takuan me zëvendëspresidentin e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi, Cyril Muller dhe zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Zhvillim të Qëndrueshëm, Laura Tuck.

Në këtë takim Ministri Lluka ishte konkret me kërkesat e tij për financimin e projekteve zhvillimore në Kosovë, me fokus të veçantë projektin e Termocentralit “Kosova e Re”, projektin për Agrobiznes dhe projektin e Ekonomisë Digjitale në fushën e teknologjisë informative.

Kreu i MZHE-së nga ana e tij, njoftoi drejtuesit e Bankës Botërore me ecurinë e zhvillimit të projekteve që mbështeten nga ky institucion financiar në Kosovës, siç janë ato në sektorin e energjisë, ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese, respektivisht rritjen e efiçiencës së energjisë. Ministri Lluka ka falënderuar drejtuesit e Bankës Botërore për ndihmën e vazhdueshme që po i japin vendit tonë me synim arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, duke theksuar se kjo mbështetje është e domosdoshme për zhvillimin e sektorëve të lartpërmendur.