CH-Ballkani

Lutfi Haziri: Mbi 100 milionerë gjilanas jetojnë në diasporë

“Po, ka mbi 100 gjilanas që kanë arritur suksese në bizneset e tyre nëpër Evropë, kryesisht në Zvicër, Gjermani, Luksemburg, Francë etj. Ata kanë shprehur interesim për investime, të cilat i mirëpresim”

Në një intervistë me shkas që ka dhënë për albinfo.ch, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka folur për ambientin për investime nga diaspora në komunën që udhëheq, për lidhjet e tij personale e familjare me diasporën në Zvicër, për përgatitjet e komunës së Gjilanit lidhur me pritjen e mërgimtarëve etj.

Albinfo.ch: Z. Haziri, ju njiheni per raporte të mira me shqiptarët jashtë vendit. Çfarë po ju ofroni atyre tash si kryetar i Gjilanit, dhe si një lider me ndikim edhe me gjerë?

Haziri: Si kryetar i Gjilanit, unë kam bërë maksimumin që bashaktdhetarët tanë të ndjejnë një pritje të ngrohtë kur vijnë në pushime në vendlindje. Nëse më herët ka munguar kjo, tashmë kjo mbetet histori. Bashkatdhetarët tanë janë krenaria jonë kombëtare. Ne nuk duhet në asnjë mënyrë t’i harrojmë këta njerëz, këta heronj të Kosovës, të cilët dhanë gjithçka që patën vetëm që ekonomia e vendit tonë të ecë përpara. Tash e kemi Ministrinë e Diasporës dhe mirë që e kemi. Kjo Ministri duhet së pari duhet t’i heq taksat kufitare për gurbetçarët sepse kjo është e tepërt dhe si e tillë ofenduese për ta. Ne duhet t’i ruajmë njerëzit tanë si sytë e ballit. Ata e kanë mbajtur gjallë dhe po vazhdojnë ta mbajnë gjallë ekonominë e vendit tonë. Ata meritojnë tretman të dinjitetshëm.

Albinfo.ch: Çfarë prisni nga diaspora?

Haziri: Qytetarët e Gjilanit që jetojnë në diasporë, njihen si humanistë të mëdhenj. Me të hollat që i kanë fituar me shumë mund, kurrë nuk kanë hezituar që të ndihmojnë familjet e tyre, që të ndihmojnë njerëzit në nevojë. Shpresoj dhe besoj shumë që ky solidaritet i diasporës sonë të vazhdojë edhe në të ardhmen. Dëshiroj të theksoj segjenerata e parë e mërgimtarëve tanë kanë jetuar në kushte jo të favorshme për t’u bërë faktor në vendet ku janë  jetuar, por duhet thënë se këta u kanë krijuar stabilitet gjeneratave të reja për t’u avancuar. Është një vërtetë e madhe që gjeneratata e dytë dhe  tretë po bëhet faktor i rëndësishëm i jetës politike dhe shoqërore të Zvicrës, duke na bërë krenarë me rezultate impresionuese. E kur kësaj ia shton faktin se gjysma e kombëtarës së Zvicrës përbëhet nga lojtarët shqiptarë, na bënë nderë dhe krenar në të njejtën kohë. Kur luan Zvicra futboll të gjithë shqiptarët kudo që janë sytë i drejtojnë tek lojtarët shqiptarë dhe mezi i presim këto ndeshje sepse ata ndikuan në përmirësimin e shqiptarëve në botë. Kjo është vërtetë fascinuese.

albinfo.ch: Çfarë konkretisht ju mundësoni?

Haziri: Komuna e Gjilanit ka dy vite që bënë organizime të mirëfillta në pritje të gurbetcarëve tanë në mënyrën më të mirë. Tashmë edhe e kemi në kalendar të punës, ku muajin qershor e kemi emërtuar “Muaji i Mërgatës”. Ky muaj përcillet me aktivitetet kulturore artistike të ngjeshura, përfshirë festivale të ndryshme, shënimi i ditëve të shteteve mike, konferenca e investitorëve etj.

Albinfo.ch: A ka kompetenca komuna t’u jofrojë mundësi investimi, kur dihet se kompetencat kryesore janë të qeverisë?

Haziri: Të gjithë mërgimtarët tanë që shprehin dëshirën e investimit në Gjilan, Komuna fillimisht i takon dhe iu tregon për lehtësirat fiskale të cilat i kemi bërë për ta, duke e krijuar një ambient të favorshëm për bizneset. Ne, gjatë dy viteve,  emi pasur takime të shumta me mërgimtarët tanë të cilët kanë shprehur interesimin që të investojnë në Gjilan dhe ata janë ndarë të kënaqur me mundësitë që ua ofron Komuna. Gjilani mirëpret krah hapur investimet e bashkatdhetarëve tanë sepse kjo përkthehet me zhvillimin ekonomik e me krijim të vendeve të reja të punës. Siç e thash, Ministria e Diasporës duhet së pari t’i heq taksat kufitare për gurbetçarët sepse kjo është e tepërt dhe si e tillë ofenduese për ta dhe të vazhdojë edhe me lehtësira të tjera, të cilat krysisht kanë të bëjnë md ndryshime në aspektet e ligjeve për këtë çështje.

Albinfo.ch: A keni kontakte me bizneset e diasporës?

Haziri: Natyrisht, siç e thash, gjatë dy viteve  kemi pasur takime të shumta me mërgimtarët tanë të cilët kanë shprehur interesimin që të investojnë në Gjilan dhe ata janë ndarë të kënaqur me mundësitë që ua ofron komuna.

albinfo.ch: Shumë shqetësime të diasporës tregojnë se Kosova nuk ka mjedis miqësor për investime, ka shqetësime për administratë të ngulfatur nga burokracia e korrupsioni.  A është ky problem i tejkalueshëm?

Haziri: Fatkeqësisht, ky është një problem me të cilin Kosova përgjithësisht po ballafaqohet dhe akoma s’ka arritur ta tejkalojë. Duhet të tejkalohet me disiplinë të madhe në nivel vendi në çdo aspekt në mënyrë që ndryshohet perceptimi për këtë fenomen, i cili shpesh herë edhe po hiperbolizohet.

albinfo.ch: Në këtë vit, a keni pritje reale që të ketë investime në Gjilan, dhe ku?

Haziri: Fatbardhësisht, gjatë këtij viti kemi projekte të mëdha për Gjilanin, pas marrëveshjeve të nënshkruara me qeveritë europiane, mike të Gjilanit. Por, shpresojmë që edhe biznesmenët shqiptarë që jetojnë në diasporë të bëjnë investime në Gjilan në resorë të ndryshëm, e vecanërisht bashkatdhetarët tanë gjilanas.

albinfo.ch: A keni ndonjë projekt apo marrëveshje konkrete me bizneset shqiptare, respektivisht gjilanasit në diasporë?

Haziri: Presim shumë shpejt një marrëveshje me disa biznese gjilanase dhe të tjera të mërgatës. Dua ta përmend faktin se nga 25 shtëpitë që janë ndërtuar për familjet në nevojë, pjesa më e madhe e tyre kanë qenë nga bashkatdhetarët tanë, kryesisht që jetojnë në Europë, e gjilanasit në vecanti. I falënderoj pafundësisht dhe apeloj që të vazhdojnë të jenë solidar.

Albinfo.ch: Zotëri Haziri, ju para pak kohe në një intervistë televizive, keni deklaruar se Gjilani i ka 100 milionerë në Europë të cilët ju personalisht i njihni. A mund t’i dijmë disa nga ta. Nëse këta milionerë dëshirojnë të sjellin investime në qytetin e tyre, Gjilanin, çka ju ofroni ju si qeverisje lokale dhe çka do të përfitojnë qytetarët e Gjilanit?

Haziri: Po, ka mbi 100 gjilanas që kanë arritur suksese në bizneset e tyre nëpër Europë, kryesisht në Zvicër, Gjermani, Luksemburg, Francë etj. Ata kanë shprehur interesim për investime, të cilat i mirëpresim. Po ashtu, unë kam parë organizime shumë të mira të shqiptarëve të mërgatës dhe të gjilanasve. Ka shumë shoqata të shqiptarëve kudo në botë që realizojnë aktivitete të ndryshme shumë të rëndësishme për shqiptarët, duke filluar nga ato kulturore, sportive, zbavitëse, pastaj tryeza e seminare e diskutime, duke mos i harruar edhe aktivitetet arsimore përmes kurseve të ndryshme të gjuhës shqipe, të cilat japin kontribut të madh për të mos harruar gjuhën e nënës.

albinfo.ch: Pse keni besim se do t’i bindni bashkatdhetarët tanë që të vijne të investojnë në Gjilan?

Haziri: Ne kemi krijuar lehtësira fiskale për investitorët e huaj, sikurse edhe për bashkatdhetarët duke e krijuar një ambient të favorshëm për bizneset dhe besoj shumë se kjo do të ndikojë fuqishëm për t’i sjellë investimet e vëllezërve tanë nga diaspora në qytetin tonë.

Albinfo.ch: Çka ju premtoni për këtë verë bashkatdhetarëve?

Haziri: Dua ta përmend një fakt që sipas të dhënave mbi 35 për qind e qytetarëve të Gjilanit jetojnë jashtë vendit, të cilët kanë migruar që nga vitet 60-ta, kur edhe kanë shkuar prindërit e mi atje për të punuar. Lirisht mund të them se një Gjilan i dytë është krijuar në diasporë. Kontributi i tyre për Kosovën, e veçanërisht për Gjilanin është jashtëzakonisht i madh dhe edhe njeherë dëshiroj t’i shpreh falënderimet e mia të pafundme për këta njerëz që e kanë mbajtur gjallë vazhdojnë akoma ta mbajnë gjallë ekonominë e Gjilanit. Krejt çka na mbetet neve që është që t’i trajtojmë si heronj përgjithmonë, t’i presim në mënyrën më të mirë me organizime të mirëfillta dhe t’ju krijojmë lehtësira për investime.

 

“Një Gjilan i dytë është krijuar në diasporë”

“Sipas të dhënave mbi 35 për qind e qytetarëve të Gjilanit jetojnë jashtë vendit, të cilët kanë migruar që nga vitet 60-ta, kur edhe kanë shkuar prindërit e mi atje për të punuar. Lirisht mund të them se një Gjilan i dytë është krijuar në diasporë. Kontributi i tyre për Kosovën, e veçanërisht për Gjilanin është jashtëzakonisht i madh dhe edhe njeherë dëshiroj t’i shpreh falënderimet e mia të pafundme për këta njerëz që e kanë mbajtur gjallë vazhdojnë akoma ta mbajnë gjallë ekonominë e Gjilanit”.