CH-Ballkani

Macron kundër kthimit të Ballkanit drejt Turqisë ose Rusisë

“Nuk dua që Ballkani të kthehet drejt Turqisë ose Rusisë, por nuk dua që Evropa të ketë probleme të funksionojë me 28 anëtarët e saj, ndërsa nga nesër do të jenë 27.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, është i mendimit se duhet të ketë një ofertë të besueshme për Ballkanin Perëndimor, pasi, sipas tij, ekziston rreziku i rritjes së ndikimit të fuqive të huaja në vendet e rajonit, shkruan ReL.

“Para nesh ka një rrezik gjeopolitik nëse Ballkani Perëndimor lëviz drejt Turqisë ose drejt Rusisë. Ky është rrezik”, tha Macron.

Ai foli para Parlamentit Evropian, ku theksoi nevojën e një pragmatizmi nga ana evropiane kur është në pyetje Ballkani Perëndimor.

Ai tha se mbron një qasje të dyfishtë: përafrimin e rajonit kah Evropa, por edhe reformimin e brendshëm të tij përpara anëtarësimit.

“Nuk dua që Ballkani të kthehet drejt Turqisë ose Rusisë, por nuk dua që Evropa të ketë probleme të funksionojë me 28 anëtarët e saj, ndërsa nga nesër do të jenë 27. Ndoshta në disa vite të ardhshme do të vazhdojë me 30, 32 anëtare nën të njëjtat rregulla”, tha Macron.

Ky ka qenë adresimi i tij i parë në Parlamentin Evropian prejse ka marrë detyrën e presidentit të Francës.

Franca është në mesin e atyre vendeve të BE-së, që nuk duan të lidhen me afate kohore sa i përket zgjerimit të bllokut.