Shqipëria

Majko kritikon MF-në për mos rritje të pensioneve 

"MF-ja duhet të ndryshojë formulën e përllogaritjes së rritjes së pensioneve, pasi rritja me 10%  nuk do të thotë asgjë për pensionistët"

Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, është përfshirë në debatin e Kuvendit të Shqipërisë ku po diskutohej për buxhetin, duke kritikuar Ministrinë e Financave për mos rritje të pensioneve. Ai tha se MF-ja duhet të ndryshojë formulën e përllogaritjes së rritjes së pensioneve, pasi rritja me 10%  nuk do të thotë asgjë për pensionistët, transmeton albinfo.ch

“Duke përfituar dhe nga largimi i kolegut tim Ahmetaj, sepse i kam dhënë fjalën që nuk do të flas me rezerva për çështje të buxhetit, si kur rrisim pagat dhe pensionet. Ata të Ministrisë së Financave i kanë qejf, i rrisin me përqindje, thonë 10%.  Tani 10% e pagës sonë i thonë një darkë, 10 % e pagës së një pensionisti i thonë një kofshë pule, për të mos thënë nga ata këmbët e pulës përpara.

Mbase është momenti që në këtë drejtim ne të shkëputemi pak nga teknika e përqindjeve pasi tek pensionistët kjo nuk është vetëm çështje përqindjesh”, ka thënë Majko.