E-Diaspora

Majko: Po negociojmë me çdo shtet për pensionet

Sa i përket çështjes së pensioneve, ministri pohoi se për çdo shtet po negociohej një mënyrë e caktuar veprimi

“Shqiptarët në Tollo janë aq të integruar, sa nëse një ditë do të vendosnin të mos punonin më, ekonomia do të goditej rëndë”.

Kështu u shpreh kryebashkiaku i qytetit të njohur për vreshtat dhe ullishtet në rajonin e Abruzzo-s në Itali, Angelo Radica, gjatë takimit me ministrin e Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko.

Ndërsa përmendi rëndësinë që ka komuniteti shqiptar dhe shembujt e panumërt të integrimit të suksesshëm, Radica sugjeroi që sistemi i Tollo-s të shfrytëzohej si model, përcjell albinfo.ch.

Ai u shpreh i gatshëm të ofrojë bursa për studentët shqiptarë të cilët do të studiojnë sistemin e Tollo-s.

Kryetari i Bashkisë e shoqëroi më vonë ministrin në takimin me përfaqësues të komunitetit, ku edhe një herë shprehu mirënjohjen për shqiptarët atje, duke i cilësuar shtyllë të shoqërisë së Tollo-s. Ai vlerësoi gjithashtu propozimet konkrete të Majkos për mësimin e gjuhës shqipe.

“Ai na dha një shembull se si mund të bashkohet dhe integrohet një komunitet”, ishin fjalët e Radica.

Nga ana e tij, ministri Majko falënderoi të pranishmit për emrin e mirë që i kanë dhënë komunitetit. Ministri shprehu qëllimin për krijimin e një marrëdhënieje me autoritetet rajonale, që siç tha, kanë një rol kyç sa i përket politikave për emigrantët.

Në bashkëbisedimin e hapur u fol për reformat e ndërmarra deri më tani për çështjen e diasporës, pensioneve dhe gjithashtu të drejtën e votës.

Sa i përket çështjes së pensioneve, ministri pohoi se për çdo shtet po negociohej një mënyrë e caktuar veprimi.