Sport

Majlinda e artë, kampione olimpike

Majlinda Kelmendi , pas fitores kundër italianes Giufridda, është kampione olimpike në `Rio 2016`. Ajo sot me katër fitore të njëpasnjëshme ka arritur në piedestalin që e kishte synuar prej tetë vitesh sa ajo bën gara në nivele të larta ndërkombëtare

 

Majlinda Kelmendi në finale në kategorinë deri në 52 kilogramë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, e ka mposhtur italianen Odette Giuffrida dhe me këtë ka prekur historinë, duke fituar medaljen e parë të artë dhe të parën medalje  në përgjithësi për Kosovën.

Ajo sot me katër fitore të njëpasnjëshme ka arritur në piedestalin që e kishte synuar prej tetë vitesh sa ajo bën gara në nivele të larta ndërkombëtare. Si kampione botërore dhe evropiane, Kelmendi tashmë ishte favorite për fitoren e sotme, por arritja e suksesit megjithatë ka qenë një rezultat i shkëlqyer jo vetëm për Majlindën por edhe për shtetin e ri të Kosovës.

Gëzimi i Majlindës me rastin e marrjes së medaljes në podium ishte i papërshkruar dhe i përcjellë më lot.

Kësisoj, Majlinda e ka shkruar emrin e saj me shkronja të arta në historinë e sportit dhe shtetit të Kosovës.

Mediume të shumta botërore i kushtojnë rëndësi të madhe fitores historike të Majlinda Kelmendit. Ato e vendosin theksin në faktin se Majlinda Kelmendi e ka siguruar fitoren e parë të një medaljeje për shtetin e ri të Kosovës.

http://www.gazetaexpress.com/sport/emocionuese-majlinda-pranon-medaljen-e-artnen-tingujt-e-himnit-te-kosoves-video-236991/