Lajme

Majlinda e artë dhe Nora e bronztë në Evropianin e Varshavës

Majlinda Kelmendi ka fituar medaljen e artën, kurse Nora Gjakova të bronztën në Kampionatin Evropian të Xhudos që po mbahen në Poloni. Kjo fitore ka gëzuar liderët institucionalë e politikë në Kosovë

Dy xhudistet kosovare, Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova, kanë shkëlqyer edhe një herë në Kampionatin Evropian të Xhudos që po mbahet në Varshavë të Polonisë. Majlinda ka fituar të artën, kurse Nora të bronztën, duke ngritur edhe një herë në piedestal flamurin e Kosovës. Kjo fitore i ka gëzuar edhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, të cilat kanë uruar xhudistet për suksesin.

Në finale, Majlinda Kelmendi e mposhti me Ippon, rusen Alesya Kuznetsova. Rrethin e parë ajo e kishte kaluar pa luftë, në të dytin e kishte mundur britaniken Chelsie Giles, e në atë të tretë zviceranen Evelyne Tschopp. Ndërkaq, në gjysmëfinale e Majlinda e mposhti portugezen Joana Ramos.

Pas triumfit të Majlindës, edhe Nora Gjakova i siguron Kosovës medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian që po mbahet në Varshavë. Xhudistja jonë në luftën për medalje të bronztë mundi xhudistën bullgare Ivelina Ilieva. Gjakova bëri paraqitje më të mirë se bullgarja dhe në fund me meritë iu gëzuan fitores, duke ia sjell vendit tonë edhe një medalje nga garat ndërkombëtare.