Sport

“Malësia Cup 2011” tejkalon kufijtë e Zvicrës

Skuadra “La Massia” nga Spreitenbachi i Cyrihit është finaliste e turneut të pestë në futboll të vogël “Malësia Cup 2011”, i cili për tri ditë me radhë këtë fundjavë mblodhi në palestrën e sporteve “Dietikon” më shumë se 60 skuadra dhe qindra futbollistë nga Zvicra, Gjermania, Austria dhe Lihtenshtajni.

© Ekipi La Massia

Nuk ishte edhe e lehtë të arrish në finale. Për tri ditë resht, pas 197 takimesh, në një garë shumë të fortë me futbollistë cilësorë, të gjithë aktivë në skuadra zvicerane, djelmoshat e rinj të skuadrës “La Massia” megjithatë arritën ta rrëmbejnë kupën.

“E patëm shumë vështirë, po ia arritëm të jemi finalist. Ky është sukses për ne për të na dhënë motiv për me marrë pjesë edhe në gara të tjera të futbollit”, ka thënë kapiteni i këtij ekipi, Edmond Bytyqi.

Skuadra “La Massia” e Edmond Bytyqit mposhti në finale ekipin “Sedtours”.

© Ekipi Sedtours

Këta të fundit janë ndarë të kënaqur edhe me vendin e dytë, duke e vlerësuar ekipin fitues si kundërshtar të fortë.

Në vendin e tretë u plasua ekipi “Grejzat” nga Cyrihu, ndërsa “Unikatil” nga St Galleni në pozitën e katërt.

© Futbollisti më i mirë i turneut, Boris Tabiq, pasi ka marrë trofeun nga ambasadori i Kosovës, Naim Malaj

Nuk kanë qenë vetëm shqiptarët që kanë marrë pjesë në këtë aktivitet sportiv. Boris Tabiq me prejardhje nga Banja Lluka është përzgjedhur futbollisti  më i mirë i turnirit “Malësia Cup 2011”. Tabiq është shprehur të jetë i kënaqur teksa mori çmimin si futbollisti më i miri i turneut nga ambasadori i Kosovës, Naim Malaj. “Ka qenë turniri më i mirë i organizuar që kam parë deri tani. Është ndjenjë e mirë të luash me futbollistët shqiptarë dhe, të njëjtën kohë, të jesh finalist”,  ka deklaruar Tabiq.

Ambasadori i Kosovës, Naim Malaj, ka premtuar se Ambasada e Kosovës në Zvicër do të mbështesë në të ardhmen organizime të këtij formati si “Malësia Cup”. 

“Turniri po bëhet tradicional  dhe po rritet  vazhdimisht duke kaluar kufijtë e Zvicrës. Këtë herë kanë marrë pjesë ekipe nga Austria e Gjermania. “Malësia Cup” është një shembull i mirë ku tregon se si diaspora jonë po organizohet dhe, në të njëjtën kohë, u ofron të rinjve tanë të shprehin talentin e tyre në futboll”, ka thënë ambasadori Naim Malaj.

Naim Malaj: Futbolli i talenteve kosovarë po afirmon kulturën dhe vlerat e vendit tonë

“Futbollistët shqiptarë, si Valon Behrami, Blerim Xhemajli, Xherdan Shaqiri dhe Valon Bunjaku, si dhe futbollistët e ekipit të rinjve U17, Frederik Veseli, të cilët ndihmuan Zvicrën të bëhet kampione e Botës në futboll, janë ambasadorët më të mirë të Kosovës”, tha ambasadori Malaj.

© Rrustem Aliaj me Fituesit

Organizatori i këtij turniri, Rrustem Aliaj, ka thënë se edhe këtë vit interesimi për turnirin ka qenë jashtëzakonisht i madh, prej 125 ekipeve të paraqitura janë pranuar vetëm 60.

Rrustem Aliaj: Nuk e bëj turnirin për të përfituar

“Nuk është e lehtë të bëhet një organizim i tillë, por assesi nuk e bëj për të përfituar. Megjithatë, ne po e bëjmë për të takuar të rinjtë e të rejat dhe për t’ iu treguar zviceranëve se shqiptarët janë integruar”, ka thënë për albinfo.ch shefi i “Malësia Reisen”, njëherësh organizator i këtij turneu, Rrustem Aliaj.

Organizatori është shprehur i kënaqur me ecurinë e turneut dhe ka mohuar të ketë ndodhur ndonjë problem për tri ditë sa ka zgjatur kjo garë, ku sipas tij, e kanë vizituar rreth 500 të rinj.“Ne kemi dashur t’u tregojmë edhe institucioneve të sportit të Kosovës se “Malësia Reisen” mund të organizojë një turne të përmasave të tilla. Prej Kosovës nuk kemi pasur asnjë iniciativë bashkëpunimi në këtë drejtim”, ka thënë Aliaj.

                                                                                                                                                                                       © Bekim Zogaj

Njëri prej gjyqtarëve të turneut, Bekim Zogaj, i licencuar në ligën e dytë zvicerane, mori mirënjohje nga organizatorët për punën që bëri gjatë këtyre tri ditëve.

“Pas 5 vjetëve referimi në këtë organizim sportiv ka arritur deri diku në nivelin  profesional. Në këtë garë është bërë referim kualitativ, megjithëse emocionet kanë qenë evidente te lojtarët dhe sistemi i eliminimit po shkakton presion si te lojtarët, ashtu edhe te gjyqtarët”, ka thënë Zogaj.

Mysafirët nga Gjermania u kthyen pa fitore

Blerim Buzuku me ekipin e tij “Dardania” nga Manheim i Gjermanisë kishte udhëtuar me qindra kilometra për të marrë pjesë në turneun  “Malësia Cup 2011”. Këtë skuadër e përbënin ish-futbollistë që kanë luajtur nëpër liga të ndryshme të Gjermanisë.

Megjithëse nuk arritën të kualifikohen në finale të turneut, ata u shprehen të kënaqur me organizimin e këtij turniri. “Ne patëm rastin të njohim cilësitë e futbollistëve shqiptarë në Zvicër. Po vërehet  një frymë e re, kjo edhe po shihet edhe me depërtimin e tyre në ligat kryesore të Zvicrës, si futbollistët Behrami, Shaqiri, Bunjaku etj.”

Për të qenë pjesë e kësaj gare me ekipin “Kreshnikët”, futbollisti profesionist kosovar në Zvicër, Norbert Frrokaj, ka thënë të ketë rrezikuar karrierën e tij në ligën profesionale zvicerane nëse do të ishte lënduar.

Ai luan në ligën e parë për skuadrën Rapperswil-Jona.  Më herët ka luajtur për FC St Gallen.

Në fanellën e skuadrës St.Gallen, anëtare e elitës zvicerane, ka pasur nderin e madh të luajë përballë yjeve të skuadrës së njohur me renome botërore, Liverpoolit.

“Dëshira për të marrë pjesë në këtë turne ka qenë e madhe,  me gjithë rrezikun që të lëndohem e t’i shkaktoj probleme karrierës sime në ekipin ku luaj”, ka thënë futbollisti i Rapperswill-Jona, Norbert Frrokaj.

Fitues i turnirit të kaluar “Malësia Cup” ishte ekipi  Krienns.

Edhe këtë vit nuk kanë munguar shpërblimet për më të mirët e turnirit. Ekipi i parë është shpërblyer me 1000 franga, i dyti me 600, ndërsa i treti dhe i katërti me një kupë. Turniri “Malësia Cup” tashmë është bërë tradicional, ndërsa organizatorët premtojnë se turniri do të zgjasë edhe për shumë vjet.