Kultura

“Martesa” e Blerta Zeqirit jepet premierë botërore në festivalin “Tallinn Film Festival”

Filmi i parë i metrazhit të gjatë i regjisores kosovare, Blerta Zeqiri, është pjesë e garës zyrtare të Tallinn Film Festival dhe është shfaqur si premierë botërore mbrëmë, transmeton albinfo.ch.

“Jam shumë e lumtur që një punë 5-vjeçare po kurorëzohet me një premierë në një festival të tillë. Është moment i lumtur për mua dhe paksa i pikëlluar, sepse është një lloj ndarjeje, pasi që nga tani “Martesa” e fillon udhëtimin e saj nëpër botë, derisa unë ia filloj një projekti të ri filmik”, ka thënë regjisorja e këtij filmi.

Filmi “Martesa”, që u përkrah financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK), flet për një trekëndësh dashurie pranë dhe gjatë një martese. Treshen e personazheve kryesore të filmit me skenar të Blerta Zeqirit dhe Keka Kreshnik Berishës e interpretojnë Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe Genc Salihu. Përveç QKK-së, “Martesa” u përkrah edhe nga Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë, si projekt me financim minoritar.