Kosova

Mbahet seanca “Fëmijët udhëheqin Kuvendin”

Me rastin e Ditës së Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, Kuvendi i Kosovës ka hapur dyert për fëmijë nga e gjithë Kosova, të cilët në sallën plenare kanë mbajtur seancë të drejtuar nga vet ata, me temën: “Fëmijët udhëheqin Kuvendin”, transmeton albinfo.ch.

Para seancës, kryeparlamentari Veseli ka pritur në zyrën e tij një grup fëmijësh përfaqësues, të shoqëruar nga drejtori i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Brandao Co.

Në fjalën e tij të rastit në seancën e fëmijëve, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ditën e sotme e konsideroi ditën më të veçantë të punës së tij në këtë institucion.

Veseli garantoi fëmijët se së bashku me kolegët e tij deputetë do të punojë shumë që të drejtat e fëmijëve të mbrohen në mënyrën më të mirë të mundshme.

Lidhur me të drejtat e fëmijëve, në këtë seancë, me fjalimet e tyre kontribuuan edhe fëmijë pjesëmarrës, ndërsa në fund u miratua një rezolutë, e cila iu dorëzua kryetares së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.