Lajme

Mbarojnë studimet, të papërgatitur për punë

Në Kosovë janë tetë universitete publike, kurse 37 janë kolegje private dhe asnjë universitet priva.

Në Kosovë ka shumë të rinj që ndjekin studimet, në një numër universitetesh publike dhe kolegjesh private. Por sa janë të përgatitur ata për profesionin që barojnë, respektivisht për tregin e punës në Kosovë? Ekspertë të fushës thonë se kjo përgatitje është kryesisht e mangët.
Kështu, drejtori i Bordit të Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, Samir Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se bizneset në Kosovë kryesisht nuk janë të kënaqura me kuadrot që dalin nga fakultetet.
Problemi thelbësor, sipas Krasniqit, është se këta të rinj, të cilët po përfundojnë shkollimin, nuk po e mësojnë praktikën.
“Kompanisë, biznesit apo punëdhënësit po i duhet një kohë e gjatë derisa ta përgatisë punëtorin e diplomuar ta zëmë në ekonomi, për të punuar në profesionin adekuat. Në teori, ai i di të gjitha, por në praktikë ai nuk ka njohuri. E njëjta vlen edhe për profesionet profesionale si elektricist apo profesion tjetër. Kjo është pengesë dhe një kosto për bizneset në Kosovë”, thotë Krasniqi.
Në Republikën e Kosovës veprojnë 45 institucione të arsimit të lartë. Nga ky numër, të akredituara në rajone të ndryshme të Kosovës janë tetë universitete publike, kurse 37 janë kolegje private dhe asnjë universitet privat.
Cilësia e këtyre universiteteve dhe kolegjeve, në veçanti atyre private, është vënë në dyshim vazhdimisht nga ekspertët e arsimit.
Eksperti i arsimit, Jonuz Salihaj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se këto shkolla, në të shumtën e rasteve, nuk po arrijnë t’i përgatisin studentët për punë ashtu si duhet.
“Marrin diploma të pavlera që nuk i përgatisin për tregun e punës. Me ato diploma nuk arrijnë të inkuadrohen në vende të punës. Kolegjet private në Kosovë kanë shkuar një shkallë më poshtë se ato publike sa i përket cilësisë,pra nuk ofrojnë cilësi”, vlerëson Salihaj.
Përpjekjeve për të zbutur papunësinë në Kosovë, përveç zhvillimit të politikave ekonomike, iu shtohet edhe arsimimi, vlerëson Jeton Mehmeti, drejtor i hulumtimeve në Institutin për Studime të Avancuara “GAP”.
Kosovës, sipas Mehmetit, i duhet një sistem më i avancuar i arsimit.
“Nëse shikohen disiplinat ose programet shkollore, të cilat ofrohen nga Universitetet e Kosovës, kryesisht janë të përqendruara në nxënien e mësimit teorik dhe shumë pak këta persona aftësohen në aspektin praktik. Pra, praktika asnjëherë nuk ka pasur një fokus të veçantë në shkollat tona”, shton Mehmeti.
Ndryshe, të tregun e punës në Kosovë, sipas të dhënave të zyrtare, çdo vit hyjnë 25 deri në 30 mijë të rinj, të cilët konsiderohen të aftë për punë. Papunësia në Kosovë ka arritur në shkallën mbi 30 për qind.
Papunësia te të rinjtë është shumë e lartë.
Nga popullsia në moshë pune, afër 60 për qind nuk janë ekonomikisht aktivë, që do të thotë se ata nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit.