Integrimi

Mbi 2 mijë studentë shqiptarë studiojnë në Austri

Me gjithë këtë numër të studentëve shqiptarë, në Austri nuk ekziston thuajse asnjë shoqatë e studentëve tanë

Ndonëse nuk dihet numri i saktë, mendohet se mbi 2 mijë studentë shqiptarë studiojnë në universitet austriake. Pjesa më e madhe e tyre është në Vjenë, ndërsa student të shumtë ka edhe në Graz, Linz, Salzburg e qytete të tjera të rëndësishme austriake.  

Me gjithë këtë numër të studentëve shqiptarë, thuajse asnjë shoqatë e studentëve tanë nuk ekziston në Austri. Edhe disa që janë të regjistruara, nuk janë funksionale. Më shumë janë forume të hapura nga individë nëpër rrjete sociale apo ndonjë për interesa të tyre grupore e personale. 

Studentët shqiptarë në Austri janë shumë pak të organizuar. Edhe pse numri i tyre është i madh, ata nuk i përfaqëson askush dhe ende nuk kanë një organizatë serioze e cila do të merrej me problemet e shumta që kanë këta studentë në Austri. Organizimet mes tyre bëhen sipas grupeve të drejtimeve në të cilat studiojnë apo sipas rrethit të ngushtë shoqëror.

– Pa shoqata studentore 

Arbër Qarri, student në drejtimin Ekonomi – informatike në Vjenë nuk është në dijeni për ndonjë shoqatë aktive të studentëve shqiptarë. “Organizatë aktive sa kam unë informacione nuk ka. Janë disa grupe të forumeve të krijuara në “Facebook” prej individëve, por nuk di që ndonjë është funksionale”, shprehet ai.   
“Organizimet bëhen vetëm përmes lidhjeve shoqërore që studentët kanë me njëri tjetrin. Për festën e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë është bërë një organizim nga një shoqëri e studentëve që studiojnë muzikë në Vjenë, dhe aty kanë marrë pjesë edhe studentë shqiptarë të drejtimeve tjera”, ka thënë Arbri.
Numër të saktë nuk ka as Ambasada e Kosovës në Austri. Aty thonë se numri i studentëve lëviz vazhdimisht. “Ne kemi disa statistika sa i përket numrit të studentëve nga Kosova në Austri, por edhe këto ndryshojnë vazhdimisht. Sipas të dhënave që posedojmë, numri i studentëve në të gjitha universitet austriake arrin në mbi 1500”, ka thënë për “albinfo.ch” Faruk Ajeti, sekretar në Ambasadën e Kosovës në Vjenë.

– Pritet të shihet puna e “Rrjetit të Studentëve dhe Rinisë në Austri”

Muaj më parë me iniciativën e Ministrisë së Diasporës dhe mbështetur edhe nga Ambasada e Kosovës në Austri, është themeluar Rrjeti i Studentëve dhe Rinisë në Austri. Ky rrjet ka për qëllim organizimin dhe krijimin e një ombrelle të të gjithë studentëve dhe organizatave studentore shqiptare në Austri. Për më shumë se një muaj që nga themelimi, rrjeti ka qenë mjaft aktiv në koordinimin dhe vënien në pah të objektivave. 
“Qëllimi i asociacionit nuk është vetëm mbledhja e studentëve dhe të rinjve shqiptarë, por në të njëjtën kohë edhe ofrimi i mundësive që këta të rinj të avancohen në fushat përkatëse ku ata veprojnë dhe shkollohen”, ka thënë anëtari i rrjetit, Arbër Ahmeti. Ai, përveç se falënderon Ministrinë e Diasporës për vënien në dispozicion të të gjitha kontakteve të nevojshme për realizimin e objektivave të rrjetit, thekson se mbështetje kanë pasur edhe nga Ministria e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, gjegjësisht nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Austri.

– Në Graz, në mes 500 dhe 600 studentë shqiptarë

Organizatë e cila do të merrej drejtpërdrejtë me problemet e studentëve shqiptarë nuk ekziston as në Graz të Austrisë. Në këtë qytet ku ka po ashtu një numër të madh të studentëve shqiptarë, organizimet bëhen në mënyra individuale dhe shoqërore. Ahmet Ibrahimi, absolvent në fakultetin e Ekonomikut thotë se numri i studentëve shqiptarë në Graz kalon mbi 500. 
“Organizatë apo shoqatë studentore shqiptare që mbron interesat e studentëve nuk ka as në Graz. Studentët e ndihmojnë njëri tjetrin edhe këtu ne Graz. Numri i studentëve shqiptarë këtu sillet diku nga 600 por nuk e them më përgjegjësi të plotë, sepse nuk ka statistika të sakta. Sa i përket organizimit do të kisha thënë që nuk kemi vështirësi të mëdha sepse në një qytet të tillë siç është Grazi thuajse të gjithë studentët takohen në vende të njëjta, si në bibliotekë, në fakultete, nëpër kafene e po ashtu edhe nëpër festa të ndryshme që organizohen nga bashkatdhetarët tanë”, u shpreh Ahmet Ibrahimi nga Mitrovica.

– Studentët që kanë ardhur nga jashtë, duhet të vetëfinancohen

Studentët  shqiptarë në Austri hasin në vështirësi të mëdha për të studiuar. Përveç  banimit ata duhet të paguajnë edhe shuma të mëdha për të ndjekur fillimisht kurset e gjuhës gjermane e pastaj edhe për të paguar semestrat universitarë. Shumica prej tyre duhet të vetëfinancohen. Për këtë arsye, ata detyrohen të punojnë punë nga më të ndryshmet për të përballuar koston e jetesës. Punët më të shpeshta që i bëjnë studentët shqiptarë janë ato në gastronomi, në markete apo edhe puna të tjera të rënda fizike. Ndërkohë më të privilegjuar janë studentët e lindur apo rritur në Austri. 
“Jeta studentëve shqiptare dallon në mes të atyre qe kanë ardhur nga  Kosova, Maqedonia, Shqipëri, e të tjerë dhe atyre që janë rritur këtu. Këta të fundit, sigurisht kanë përkrahjen e shtetit austriak dhe kushtet i kanë shumë më të mira, kurse studentët që kanë ardhur këtu nga jashtë për të studiuar, kanë një jetë shumë më të vështirë. Shumica vetëfinancohen kurse e drejta e punës është e limituar deri në 390 € në muaj me të cilën nuk mund të mbulojnë as gjysmën e shpenzimeve që i bën një student në Austri”, tregon ai.

– Kufizimet për punë dhe të ardhurat që nuk mjaftojnë…

Edhe studenti nga Grazi pranon vështirësitë me të cilat ballafaqohen studentët shqiptarë edhe në këtë qytet, ani pse ai punon tek koncerni “BMW” si përgjegjës për shitje dhe menaxhment. “Problemet me të cilat ballafaqohen studentët shqiptarë, janë ato financiare. Nëse arrin të sigurosh një vend pune, e drejta punës është maksimumi gjysmë orari dhe përfiton një pagesë prej 365 eurove e cila është shumë e vogël për shpenzimet e një studenti. Kjo është sakrifica më e madhe për secilin nga ne dhe një fenomen i cili po ndikon drejtpërdrejt në sukseset tona si studentë” shprehet Ahmeti.
Por brengosëse është se çfarë dëshirojnë të bëjnë këta studentë shqiptarë pas përfundimit të studimeve? Me shumicën prej atyre që biseduam na thanë se dëshirojnë të kthehen për të kontribuar në shtetin e Kosovës. Megjithatë duke e parë gjendjen jo të mirë atje, duket se ata do të mundohen të gjejnë alternativa për të punuar në profesionin e tyre dhe për të rregulluar dokumentacionet e banimit në Austri.

Arben Gjinaj