CH-Ballkani

Mbi 31 mijë kosovarë kanë gjetur punë legale gjatë këtij viti në Gjermani

Ata përbëjnë afër 30 % të numrit të përgjithshëm të ballkanasve që kanë pasur këtë fat, e që janë gjithsej 101 mijë

Në një studim të publikuar të premten nga Instituti i Nürnbergut për Hulumtim të Tregut të Punës dhe të Profesioneve (IAB) janë prezantuar rezultatet e rregullores që Qeveria Federale e Gjermanisë pati futur në fuqi në tetor të vitit 2016 për sigurimin e vizave të punës për shtetasit e vendeve të Ballkanit, shkruan focus.de.

Fjala është për një „Eksperimet të hapjes së kufizuar të tregut të punës“, vlerësojnë autorët e studimit.

Rregullimi i ri kërkon që aplikuesi të dëshmojë se ka gjetur një vend pune me pagesë normale në një ndërmarrje gjermane, transmeton albinfo.ch. Pastaj, nëse agjencia lokale e punës vlerëson se në atë lokalitet nuk gjenden lehtë të papunë vendorë që do të zinin vendin e lirë të punës në profesionin e caktuar, ajo ua lëshon lejen e punës ballkanasave që kanë aplikuar. Dhe, kjo leje pune është parakusht për të fituar një vizë gjermane të udhëtimit.

Sipas studimit në fjalë, nga nëntori i vitit 2015 deri në shtatorin e vitit 2017 në Agjencinë Federale të Punës kanë arritur 128 mijë kërkesa pune. Prej tyre, agjencia në fjalë u ka dhënë dritën e gjelbër gjithsej 101 mijë kërkesave.

Për lexuesin shqiptar është me interes se, siç ka konstatuar studimi në fjalë, numrin më të madh të atyre që kanë marrë një leje të tillë pune e përbëjnë shtetasit e Kosovës, shkruan albinfo.ch. Vetëm nga janari deri në fund të nëntorit të vitit 2017 janë 31.300 kosovarë që kanë marrë „dritën jeshile“ për të punuar në Gjermani, që i bie se ata përbëjnë afër 30 % të numrit të përgjithshëm të të gjithë ballkanasve që kanë pasur këtë fat.

Njëherësh në studim nënvizohet se ky numër i kosovarëve te pajisur me leje pune gjermane është për 90 për qind më i lartë se ai i një viti më parë.

Në vendin e dytë, me 22.200 leje pune vijnë shtetasit e Bosnjë e Hercegovinës (43.8) më shumë se një vit më parë ndërsa në të tretin janë shtetasit e Serbisë me 15100 leje të tilla ose 46.4% më shumë se në vitin 2016.

Por marrja e lejes ose e dritës së gjelbër nga Agjencia e Punës ende nuk do të thotë se mund të fillosh automatikisht nga puna, transmeton albinfo.ch. Kjo për faktin se, siç ka konstatuar studimi, në radhë vjen pengesa, e quajtur: viza.

Përfaqësitë konsullore të Gjermanisë në vendet e Ballkanit Perëndimor janë të stërngarkuara me kërkesat për viza që bëjnë shtetasit e vendeve në fjalë pasi kanë siguruar një vend pune në Gjermani. Prandaj përpunimi i kërkesave të tyre zgjat shpesh me muaj të tërë e madje edhe deri një vit.