Shqipëria

Mbi 5 milionë turistë për një vit

Shtetasit nga Kosova vazhdojnë të zënë vendin e parë përsa i përket numrit të të huajve, me 34% të totalit

Numri i turistëve po rritet nga viti në vit në Shqipëri. Në vitin 2017, është regjistruar numër rekord i tyre, sipas statistikave të lëvizjeve të shtetasve të publikuar nga INSTAT.

Në total, Në Shqipëri hynë 5.1 milionë të huaj, me një rritje prej 8.1% në krahasim me vitin e mëparshëm. Gati gjysma e tyre erdhën për qëllime turistike.

Ndonëse gradualisht po e braktisin vendin amë, shtetasit nga Kosova vazhdojnë të zënë vendin e parë përsa i përket numrit të të huajve, me 34% të totalit, shkruan ‘Monitor’.

Sipas INSTAT, në vitin 2017 hynë 1.7 milionë shtetas nga Kosova, me një rënie të ndjeshme prej 19%, përcjell albinfo.ch.

Nga ana tjetër, Shqipëria ka qenë “zbulimi” i kësaj vere për shumë turistë  nga Maqedonia, Greqia, Italia, Gjermania, Polonia, Anglia, Çekia, teksa vendi i shqiponjave ka qenë gjithë vitin në fokusin e mediave të huaja që shkruan për bukuritë e tij dhe alternativën e çmimeve të lira.

Në vend të dytë për nga numri i hyrjeve janë maqedonasit, që u rritën me 18.5%, ku 671 persona kanë hyrë në Shqipëri. Në vend të tretë ishin grekët, me një rritje prej 19%, me gati 490 mijë shtetas të hyrë.

Në vend të katërt ishin fqinjët malazezë, me rritje 17% dhe rreth 380 mijë shtetas që hynë në kufirin shqiptar.

Në rritje të ndjeshme ishin dhe shtetasit nga Gjermania, me një rritje prej 47%, apo 212 mijë shtetas.

Risia e 2017-s ishte ardhja e polakëve përmes agjencisë turistike më të madhe në Poloni, ITAKA.

Statistikat tregojnë se në 2017-n, Shqipërinë e vizituan 114 mijë polakë, me një rritje prej të fortë prej 73%.

Edhe nga SHBA, ka pasur një rritje të interesit, ku ardhjet e shtetasve nga ky vend u rritën me 19.3% në 98 mijë hyrje.

Rritja e numrit të turistëve ka sjellë një përmirësim të ndjeshëm të bilancit të shërbimeve. Sipas Bankës së Shqipërisë, ardhurat nga udhëtimet arritën për 9-mujorin një nivel rekord prej 1.3 miliardë eurosh, me një rritje prej 13% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur nivelin më të lartë rekord.

Rritja e ndjeshme e interesit për Shqipërinë pritet të vijojë edhe këtë vit, bazuar në prenotimet e hoteleve, të cilat që në fillim të këtij viti janë rezervuar mbi 90%.