E-Diaspora

Mblidhen fondet për familjen shqiptare në Londër

Për familjen Haxhisefa janë mbledhur 5530 funte dhe me këtë është mbyllur aksioni humanitar

 

Ambasadori i Kosovës në Britaninë e Madhe, Lirim Grajqevci ka bërë të ditur se janë mbledhur fondet për familjen shqiptare në Londër, e prekur nga tragjedia e ndërtesës Grenfell Tower, raporton albinfo.ch.

 

Për familjen Haxhisefa janë mbledhur 5530 funte dhe me këtë është mbyllur aksioni humanitar.

 

Ja postimi i plotë i ambasadorit

 

Të nderuar bashkatdhetarë,

 

Ju falënderoj pafundësisht, secilin prej jush, që iu përgjigjët thirrjes për ndihmë familjes Haxhisefa, me kaq zemërgjerësi dhe mirësi. Qëllimi ynë për t’i mbledhur 5 mijë funte, për t’iu dalë në ndihmë sadopak anëtarëve të familjes Haxhisefa, të cilët, për fat, janë shëndoshë e mirë, por humbën çdo gjë materialisht nga zjarri tragjik në Grenfell Tower, u arrit me sukses dhe u tejkalua. Shuma e mbledhur, deri në këto momente, është 5530 funte, dhe, me këtë rast, e shpallim të mbyllur këtë aksion humanitar. Shenjtorja jonë, Nëna Terezë, pati thënë: “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.” Me gjestin tuaj ju e keni arsyetuar plotësisht këtë thënie. Tani, avokati dhe aktivisti i komunitetit shqiptar në Londër, Artan Llabjani, do t’ia dorëzojë çekun me paratë e mbledhura familjes Haxhisefa, në emrin tuaj.

Ju faleminderit!