Kultura

Mbrëmje komemorative për z. Victor Ruffy

“Ky respekt dhe ky organizim i ISEAL-it është frymëzim dhe mësim edhe për vetë qeverinë e kantonit”, theksoi kryetari i Qeverisë së Kantonit Vaud, zoti Pierre-Yves Maillard

ISEAL (Instituti Zviceran i Studimeve Shqiptare) organizoi më 20 mars 2017 mbrëmje komemorative në nderim të zotit Victor Ruffy, ish-kryetar i Parlamentit zviceran dhe një nga themeluesit e ISEAL-it.

Mbrëmja u mbajt në Universitetin e Lozanës në IDHEAP (Instituti Zviceran i Studimeve të Larta për Administratë Publike). Animator i programit të mbrëmjës ishte Visar Qusaj, aktor dhe Kryetar i Shoqatës së miqëve të ISEAL-it.

Të pranishëm në këtë mbrëmje ishin personalitete të larta zvicerane, duke filluar nga Parlamenti zviceran, qeveria e Kantonit Vaud, drejtues të qytetit të Lozanës, etj.

Nga Kosova ishin të pranishëm përfaqësues nga Presidenca dhe Qeveria e Kosovës, të cilët erdhën enkas nga Prishtina për këtë mbrëmje komemorative në respekt të z. Victor Ruffy: z. Valon Murati, ministër i Diasporës, z. Ismajl Syla, këshilltar në zyrën e Presidentit dhe z. Besim Kajtazi, drejtor i Zyrës ligjore dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare të Presidencës së Kosovës si dhe mik i Victor Ruffy.
Nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës në Zvicër i pranishëm ishte z. Ramadan Avdiu, konsull i përgjithshëm i Kosovës në Gjenevë.
Ishin të pranishëm edhe drejtues të institucioneve të ndryshme akademike, në mesin e të cilëve ish-kolegë të z. Victor Ruffy nga Universiteti i Lozanës, ku ishte profesor një kohë z.Ruffy.

Mbrëmja filloi me një dokumentar fotografik. Mimoza Selimi, artiste shqiptare, shoqëronte fotot me këngë të interpretuara me ndjenja të veçanta.

Dr. Régis Marion-Veyron, kryetar i Këshillit drejtues të ISEAL-it, e hapi mbrëmjen komemorative, duke i përshëndetur të pranishmit.

Dr. Olivier Meuwly, autor dhe zëvendës në Sekretariatin e Përgjithshëm në Departamentin e Financave dhe Marrëdhënieve me Jashtë në Kantonin Vaud dhe anëtar i Këshillit drejtues të ISEAL-it, bëri një vështrim historik mbi figurën e z. Victor Ruffy.  Z. Meuwly përkujtoi se z. Victor Ruffy rrjedh nga një familje me traditë të veçantë politike: stërgjyshi i tij, Victor Ruffy (nga ai e trashëgoi emrin), ishte Këshilltar Federal dhe zv. president i Zvicrës, ndërsa gjyshi i tij, Eugène Ruffy, ishte këshilltar federal dhe President i Konfederatës Zvicerane.
Z. Driton Kajtazi, drejtor i ISEAL-it, bashkëpunëtor dhe mik i afërt i Victor Ruffit, theksoi se “Victor Ruffy ishte mik i shqiptarëve, por ishte sidomos mik i drejtësisë dhe i demokracisë”. Në përmbyllje të fjalimit, Driton Kajtazi theksoi se “ndihet i ndarë në mes të dhembjes me humbjen e një miku të madh dhe të krenarisë për bashkëpunimin dhe miqësinë që kemi pasur”.

Prof. Dr. Jean-Bernard Racine, ish-drejtor i Institutit të Gjeografisë në Universitetin e Lozanës, në fjalimin e tij ceku, pos tjerash, modestinë dhe interesimin e z. Victor Ruffy për hallet e njerëzve, përkundër posteve të rëndësishme dhe traditës së lartë familjare.
Z. Ulrich Egli, në emër të Komunës Morrens, ku banonte z. Victor Ruffy, i përshëndeti të pranishmit dhe kujtoi angazhimin për mirëqenien e komunës dhe të banorëve të saj përkundër angazhimeve në Bernë dhe Strasburg.

Z. Oscar Tosato, në emër të qytetit të Lozanës evokoi kujtime dhe mirënjohje për z. Victor Ruffy, i cili, siç theksoi z. Tosato, edhe e nxiti të futej në politikë, pos tjerash, për të mbrojtur të drejtat e të huajve në përgjithësi dhe të shqiptarëve në veçanti. Po ashtu kujtoi edhe angazhimin dhe përkrahjen e z. Victor Ruffy që ISEAL të ketë një ndërtesë të veten në bashkëpunim me qytetin e Lozanës, por edhe për bashkëpunime të tjera.

Zonja Cesla Amarelle, parlamentare në nivel të Konfederatës zvicerane, shprehu adhurimin e madh ndaj z. Victor Ruffy. Unë kam mësuar shumë nga Victor Ruff. Falë z. Victor Ruffy, jam më e ndjeshme që të gërshetoj mirëkuptimin ndaj halleve të individëve dhe detyrimet e institucioneve.

Z. Pierre-Yves Maillard, kryetar i qeverisë së Kantonit Vaud, shprehu po ashtu respektin e thellë që të gjithë politikanët kishin për z. Victor Ruffy, qoftë në nivel konfederate, por edhe më gjerë, e veçanërisht në Këshillin e Evropës. Të rrallë janë personalitetet sikur Z. Victor Ruffy që respektohen nga të gjithë, theksoi më tutje kryetari i qeverisë kantonale. Z. Pierre-Yves Maillard theksoi se ky respekt dhe ky organizim i ISEAL-it është frymëzim dhe mësim edhe për vetë qeverinë e kantonit se si të respektohet kujtesa dhe angazhimet e një personaliteti sikur z. Victor Ruffy.

Z. Valon Murati, ministër i Diasporës së Kosovës, shprehu respektin e autoriteteve të Kosovës për angazhimin e z. Victor Ruffy sa për integrimin e shqiptarëve në Zvicër, aq edhe për demokracinë në Kosovë.

Z. Ismajl Syla, këshilltar politik pranë Presidencës së Kosovës, në emër të presidentit Hashim Thaçi, i dorëzoi zonjës Barbara Burri, gruas së Victor Ruffy, Medaljen Presidenciale të Meritave për Kontributin e dhënë për lirinë dhe demokracinë në Kosovë si dhe për avancimin e miqësisë Kosovë-Zvicër. Z. Ismajl Syla theksoi, mes tjerash, se “Kosova është shtet i ri, por nuk i harron miqtë e kamotshëm“.
Z. Francis Cousin, Kryetar Nderi i Këshillit të Fondacionit të ISEAL-it, në përfundim të mbrëmjes komemorative, lexoi një letër me shumë emocione të nënshkruar nga zonja Antonella Cagnolati nga Këshilli i Evropës.

Të gjithë oratorët nuk e lanë pa e përmendur angazhimin dhe miqësinë e veçantë që z. Victor Ruffy kishte për shqiptarët në përgjithësi.
Ajo që bënte përshtypje ishte se z. Victor Ruffy konsiderohej nga të gjithë politikanët, qoftë të rangut komunal, kantonal apo të konfederatës, si udhërrëfyes.

Në përmbyllje të mbrëmjes komemorative, një aperitiv rasti u ofrua për të pranishmit nga vëllezërit Dino e Shaban Bekteshi, pronarë të restoranteve më me zë në kantonin Vaud e më gjerë.

VICTOR RUFFY, MIKU MË I MADH I SHQIPTARËVE NË ZVICËR: PËRSHKRIM I SHKURTËR I NJË ANGAZHIMI TË GJATË SHEMBULLOR
Më 19 mars 2016 u nda nga jeta z. Victor Ruffy, ish-kryetar i Parlamentit zviceran.
Z. Victor Ruffy ka qenë kryetar i Parlamentit zviceran në vitin 1990.
Z. Ruffy  vite me radhë e ka kryesuar delegacionin zviceran pranë Këshillit të Evropës.
Z. Ruffy, po ashtu, vite të tëra ishte drejtues i Komisionit të Parlamentit të Zvicrës për Marrëdhënie me Jashtë.
Z. Victor Ruffy rrjedh nga një familje me traditë të veçantë politike: stërgjyshi i tij, Victor Ruffy (nga ai e trashëgoi emrin), ishte Këshilltar federal dhe zv. president i Zvicrës, ndërsa gjyshi i tij, Eugène Ruffy, ishte Këshilltar federal dhe President i Konfederatës Zvicerane.
Z. Ruffy ishte edhe kryesues i vëzhguesve të zgjedhjeve të para demokratike në Kosovë në vitin 2001.
Z. Ruffy ishte edhe një nga kryesuesit e vëzhguesve të zgjedhjeve të para demokratike në Shqipëri.
Z. Ruffy ka ngritur çështjen e Kosovës në Parlamentin e Zvicrës që në vitin 1994.
Z. Victor Ruffy ishte një nga themeluesit e Institutit Zviceran të Studimeve Shqiptare (ISEAL).
Z. Ruffy ka përkrahur hyrjen e Shqipërisë në Këshillin e Evropës.
Z. Ruffy ishte themelues i fondacionit “Eurobibus”, urë e bashkëpunimit në mes të Shqipërisë e Zvicrës.