E-Diaspora

Mbrëmje letrare në 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës

Faruk Ajeti, sekretar i Ambasadës: “Ju jeni lidhje e fuqishme me krijimtarinë letrare në gjuhën e nikoqirit dhe gjuhëve tjera këtu ku ne jetojmë. Kjo e ngre fuqishëm imazhin tonë dhe kulturën tonë si komunitet këtu”

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu“ në Austri feston 10-të vjetorin e pavarësisë së Kosovës, në një ambient të bukur të “DerKunstraum”, në qendër të Vjenës. Artit të pikturave të mrekullueshme bashkë me atë letrar e  artistik iu bashkuan dhe tingujt e violinës në lojën e “Bareshës” nga mjeshtri, tani i njohur në Vjenë, Alban Spahiu.
Dhjetë vite jetë nga shpallja e pavarësisë Kosova mori rrugën e saj të pavarur nga robëria shekullore. Kjo nuk do arrihej pa mbështetjen e gjithanshëm, përfshirë këtu edhe kontributin e madh të diasporës.

Programi u prezantua me shije nga moderatorja, Kaltrina Durmishi. Fjalë përshëndetësi mbajti nikoqirja e Kunstraum-Galerie Zonja Thunhoffer:  “Është një ditë e mrekullueshme pavarësia e Kosovës dhe nga thellësia e zemrës ua uroj të gjithëve. Kjo më sjellë kënaqësi të madhe që do festohet në Galerinë tonë në Kunstraum në qendër të Vjenës. Art është piktura, muzika, poezia, tregimi … dhe kjo ne na bënë njerëz, pa marr parasysh nga cili nacionalitet”. Anton Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri, i falënderoi të pranishmit dhe ua uroi dhjetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës duke dhënë një historik të shkurtër rreth aktiviteteve gjashtëvjeçare të Lidhjes.

Në emër të  Ambasadës së Republikës së Kosovës fjalë rasti mbajti Faruk Ajeti, sekretar i Ambasadës: “jam i lumtur gjithmonë në mesin tuaj, kur e di se sa shumë keni bërë e po  bëni në afirmimin e krijimeve letrare shqiptare këtu në Austri. Ju jeni lidhje e fuqishme me krijimtarinë letrare në gjuhën e nikoqirit dhe gjuhëve tjera këtu ku ne jetojmë. Kjo e ngritë fuqishëm imazhin tonë dhe kulturën tonë si komunitet këtu.  Lidhja jonë po shënon suksese në botime ku tani kemi dy antologji nga krijuesit shqiptarë, “Illyricum I” dhe “Illyricum II” dhe në gjuhën gjermane ashtu sikur shumë nga veprat e juaja të botuara  në disa gjuhë. Kjo është për tu krenuar të gjithë, dhe unë në emër të zotit ambasador Sami Ukelli ju përgëzoj”,- tha mes tjerash ai.

Ora letrare filloi me lexim në prozë nga shkrimtarja Angjelina Marku, marr nga romani i saj i cili pret botimin së shpejti. Krijuesi tjetër, Hazir Mehmeti, lexoi pjesë nga përmbledhja e tregimeve “Kohëthyerja” dhe një poezi. Anton Marku lexoi  poezi nga përmbledhja e tij e fundit disa nga të cilat edhe në antologjinë e krijuesve nga të ardhurit “Ne gurëlëvizës” ku është i prezantuar nga radhët e krijuesve në gjuhën shqipe. Disa autor edhe pse ishin pjesë e programit  nuk lexuan, në dukje jo serioze për një orë letrare festive.
Ora letrare ishte shumë mirë e organizuar, por kishte më pak publik se sa jemi mësuar vazhdimisht në Kunstgaleri ku vërtetë njeriu që e ndjen artin ka çka të shijon; piktura, lexim letrar e tinguj violine nga pjesë këngësh e vallesh shqiptare të njohura sikur është “Baresha” fantastike, rasti i mbrëmjes.  Lidhja e Shkrimtarëve do jetë e pranishme në shënimin e Vitit të Kulturës Shqipëri – Austri i shpallur nga të dy vendet, ku pritet të lexon nga krijimtaria e tij dhe shkrimtari ynë me emër Ismail Kadare në “Alte Schmid”, vend leximi letrar i njohur.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” është një shembull i mirë për gjithë diasporën në rrugën e saj afirmimin e krijimeve letrare nga kombi ynë në ambientet shumë kulturore në Austri. Disa nga autorët shqiptarë janë tani më anëtarë të asociacioneve letrare më të njohura në Austri, PEN-Club-it dhe Lidhjes së Shkrimtarëve në Austri, janë pjesë e antologjive në gjermanisht krahas krijuesve të njohur vendës. Në fund u organizua koktej rasti me pije edhe nga Kosova. U ngrit dolli me verë të kuqe Rahoveci: Kosovë,Gëzuar 10-të vjet pavarësi!