Bota

Mbrojtja e kufijve të BE-së nga emigrantët: “Në raste nevoje, edhe me armë”

Minstri bullgar: "Ne duhet që në Itali dhe Greqi të vendosim trupa të NATO-s që të mbrojnë në raste nevoje kufijtë e jashtëm të BE-së edhe me forcën e armëve"

Ministri bullgar i Mbrojtjes, Krasimir Karakachanov shprehet i vendosur për luftimin e migracionit ilegal. Në të ardhmen do të angazhohet më shumë ushtria bullgare për mbrojtjen e kufijve me Turqinë.

Karakachanov shprehet  për gazetën Die Welt se kufiri bullgaro-turk do të duhet të ndahet në pesë zona. “Në secilën nga këto zona ne do dërgojmë një trupë të armatosur në madhësinë e një kompanie që të mbikqyrë brezin përkatës kufitar. Atje do të jenë prezente edhe trupa speciale luftarake”, transmeton dw.de.

Bullgaria parashikon të angazhojë 600 ushtarë për ruajtjen e kufirit. “Kemi parë në praktikë, se ushtria është më efektive në sigurimin e kufijve se policia”, thotë ministri bullgar. Ai bëri të ditur, se për mbikqyrjen e kufirit do të përdoren edhe drone dhe kamera. Në të njëjtën kohë Karakachanov kritikoi BE që nuk ia ka dalë deri më tani të mbyllë rrugët e Mesdheut për migrantët. “Ne duhet që në Itali dhe Greqi të vendosim trupa të NATO-s që të mbrojnë në raste nevoje kufijtë e jashtëm të BE-së edhe me forcën e armëve.”

Vlerësimi i ministrit bullgar të Mbrojtjes, Krasimir Karakachanov për gazetën gjermane, është se shumica e atyre që vijnë në Europë përmes Mesdheut janë migrantë ekonomikë. “Ata nuk përndiqen, nuk kanë nevojë për mbrojtje të jetës së tyre, ata duan thjesht të vijnë në një vend të pasur perëndimor.”