Tematike

Mbyllet “afera kosovare” e ish gazetarit zviceran: Nuk ka pasur shantazh ndaj tij

Gjyqtarja ka marrë sot vendimin: nuk ka elemente shantazhimi në dërgimin e emailit nga arkitekti 62 vjeçar në adresë të ish gazetarit që ishte në funksionin e zëdhënësit tüë Swisscoy-t, koleg i atëhershëm nga shërbimi në të njëjtin mision

Për gjyqtaren e Gjykatës së Qarkut të Cyrihut nuk ka dilema: Ai që i ka dërguar ish gazetarit të njohur televiziv televiziv Stefan Tabacznik emailin anonim ka qenë një ish koleg i tij nga shërbimi i përbashkët në kuadër të Swisscoy-t, në Kosovë. Por, ky email nuk ka qenë i natyrës shantazhuese siç pretendon Tabacznik, shkruan nzz.ch. Gjykimi në Gjykatën e Qarkut të Cyrihut qe ndërprerë në shtatorin e vitit të kaluar për shkak të pretendimit të të akuzuarit se gjyqtarja “po ja mbante anën” gazetarit, siç ka shkruar atëbotë edhe albinfo.ch. Rrjedhimisht, lënda duhej të shkonte një shkallë më lart, në Gjykatën e Lartë (Kantonale).

Mirëpo kjo e fundit nuk ka pranuar ta shqyrtojë atë kështu që lënda është dashur t`i kthehet sërish gjyqtares së parë të Gjykatës së Qarkut. Dhe gjyqtarja ka marrë sot vendimin: nuk ka elemente shantazhimi në dërgimin e emailit nga arkitekti 62 vjeçar në adresë të ish gazetarit që ishte në funksionin e zëdhënësit tüë Swisscoy-t, koleg i atëhershëm nga shërbimi në të njëjtin mision. 

Sipas gjyqtares, një email i vetëm në të cilin i akuzuari kërcënon gazetarin me një “çmontim para publikut” nuk mjafton për të përmbushur figurën e veprës penale të shantazhimit. Publikimi i një “demontazhe” të tillë publike nuk mund të ketë qenë në fuqinë e të akuzuarit por në atë të të mediave. Dhe do të ishte në pikëpyetje nëse mediat do të pranonin të inkuadroheshin në një fushatë të tillë linçimi. Prandaj, përmbajtja e emailit ishte e papërshtatshme por jo dhe e dënueshme. Kështu, me vendimin e gjyqtares së Gjaktüës së Qarkut të Cyrihut i akuzuari merr një kompensim material në emër të shpenzimeve të mbrojtjes, prej 17 mijë frangash. Ndërsa Tabcaznik ka kërkuar përmes procedurës civile një dëmshpërblim prej 2848 frangash dhe një kompensim prej 1000 frangash.

Të rikujtojmë rrjedhën e ngjarjes: Në vitin 2013 Tabcznik qe përfshirë në një polemikë që kishte të bënte me një sharje që ish ministri zviceran i mbrojtjes, Ueli Mauerer i kishte drejtuar një kameramani, duke e quajtur “Majmun”. Tabazcnik kishte përkujtuar me atë rast (në një artikull në gazetën Blick) se përvoja të tilla me Maurerin ai kishte edhe vetë, nga një vizitë që ministri u kishte bërë trupave zvicerane në Kosovë, në vitin 2010, transmeton albinfo.ch. Në atë rast, Maurer, sipas gazetarit veteran e kishte sharë madje kameramanin me fyerje më të rënda dhe i kishte thënë veç tjerash “Thyej qafën”. Përgjegjësi për komunikim i Maurerit e kishte mohuar kategorikisht këtë pohim të Tabazcnik-ut.

Ndërsa të nesërmen pas botimit të artikullit në fjalë, gazetari sot 68 vjeçar e në pension kishte marrë një e-mail anonim me tone kërcënuese e shantazhuese nga një person që i ishte drejtuar si “ish shok i luftës” dhe “luftëtar i Swiscoy”-t. Ai e kishte “këshilluar” që duke ditur se çfarë shërbimi katastrofal kishte bërë në Kosovë, gazetarit më mirë do t`i binte “të rrinte urtë”. Kjo sepse, sipas tij, ai kishte material të mjaftueshëm mbi “veprimet ekstreme” të gazetarit sa ka qenë në Kosovë, sa për t`i bërë atij një “demontazh total publik në të gjitha mediat.

Ky material, sipas tij bazohej në “takimet sekrete politike me harxhime të shtetit”, “tregti me drogë dhe me gjak, me armë dhe me fëmijë”, që Tabazcnik i paska bërë gjatë periudhës së tij “kosovare”. Adresa prej nga i kishte ardhur ish gazetarit emaili, i takonte një arkitekti sot 62 vjeçar me të cilin kishin shërbyer në të njëjtën kohë në Kosovë.

Sipas tij, Tabazcnik është “shef i një armate sekrete të cilës i përket edhe ish ministri i njohur federal, Adolf Ogi dhe si i këtillë përbën rrezik për Zvicrën.