Shkurt.ch

Mbyllet xhamia problematike, askush nuk i jep lokal me qira!

Xhamia An`Nur gjatë dy viteve të fundit ka qenë në kryetitujt e mediave për dyshimin se ka shërbyer si qendër për radikalizimin e të rinjve myslimanë

Pas raportimeve të shumta mediale lidhur me Winterthurin si qendër e radikalizmit islamik, për çfarë në shënjestër ishte marrë në veçanti xhamia An`Nur, duket se kjo xhami i ka ditët e numëruara. Ajo pritet të mbyllet në fund të këtij viti, atëherë kur i përfundon kontrata mbi qiranë, ndërsa qiradhënësi nuk ka dashur ta vazhdojë kontratën, shkruan srf.ch.

Shoqata An`Nur fajëson mediat për këtë ndërprerje kontrate. Sipas saj ka qenë raportimi ndërsyes i tyre ai që ka sjellë në këtë gjendje. Shoqata të cilës i është ndërprerë qiraja nuk po mundet të gjejë lokal tjetër për t`u vendosur, pikërisht nga kjo arsye, thotë ajo.

Xhamia e përmendur gjatë dy viteve të fundit ka qenë në kryetitujt e mediave për dyshimin se ka shërbyer si qendër për radikalizimin e të rinjve myslimanë. Si rezultat i këtij radikalizimi, disa të rinj kanë shkuar në Siri për të luftuar për ISIS-in. Në mesin e tyre kanë qenë edhe dy adoleshentë shqiptarë, vëlla e motër, të cilët para më se një viti ishin kthyer nga Siria dhe janë pritur në Zvicër nga autoritetet e sigurisë.