Kultura

Më 15 maj mbahet Kuvendi i parë i Shoqatës së Autorëve Shqiptarë në Zvicër

Krijuesit letrar shqiptarë në Zvicër do të organizohen tash e tutje  nëpërmjet Shoqatës së Autorëve Shqiptarë, e cila është në krijim e sipër. Për një nismë të tillë ishim marrë vesh iniciatorët  e këtij organizimi kulturor-letrar gjatë fundjavës që shkoi në Avenches.

Besnik Camaj, poet dhe profesor në HEIG të Yverdonit, tha se një nismë e tillë është   e nevojshme që të kemi një organizim më  të mirë ne krijuesit duke i lënë anash interesat e ngushta personale apo grupore.

Driton Kajtazi, drejtor i Instituti Zviceran të Studimeve Shqiptare ISEAL, autor dhe mësimdhënës, ka  mbështetur një organizim të tillë. Sipas tij, kjo shkon në të ardhmen në shërbim të një komunikimi dhe veprimi konkret, të strukturuar dhe afatgjatë.

Për Gani Bytyqin, piktor dhe poet, tani kushtet janë pjekur dhe se ekziston një frymë e re. Ai ka shprehur domosdoshmërinë e një organizimi qëllim-mirë dhe efikas, pa ndonjë prapavijë të realizimeve personale

Në këtë takim u formua një grup pune i cili do të kristalizojë sugjerimet dhe propozimet e të pranishmëve, për të përpiluar statuset përfundimtare të shoqatës së autorëve.

Statuti i shoqatës është gërshetim i disa statuteve në mesin e të cilave ato të Shoqatës së Shkrimtarëve në Kosovë dhe të Shoqatës së Autorëve të Zvicrës.

Në këtë takim të parin me radhë, është propozuar që shoqata të mos quhet Shoqata e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër por Shoqata e Autorëve shqiptarë në Zvicër me arsyetimin praktik se ky emërtim përkon me shoqatat si-motra në Zvicër e gjetiu por edhe me konceptin e modestisë në emërtim, përmbajtës dhe përmbajtje.

Emërtimi, statuset, organet drejtuese dhe projektet e tjera konkrete letrare do të miratohen në Kuvendin që  do të mbahet më 15 maj 2011 në Avenches në ora 14.

Një Këshill Drejtues i përbërë nga Arsim Ferizi, Bardhec Berisha, Besnik Camaj, Brahim Avdyli dhe Gani Bytyqi do të përgatisin Kuvendin.

Ky këshill deri në Kuvend udhëhiqet nga Besnik Camaj, i cili edhe propozoi që të organizohet një Manifestim Letrar Shqiptar në kuadër të Festivalit të Opera-s në Avenches në fillim të muajit korrik 2010, gjë që të pranishmit e përkrahën këtë propozim.