CH-Ballkani

Më pak investime të huaja direkte në Kosovë

100 milionë euro më pak kanë hyrë në Kosovë në vitin 2016 si investime të huaja direkte, krahasuar me vitin 2015.

Në periudhën janar -tetor 2016 raportohet për 203 milionë euro në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ku ishin regjistruar 301 milionë investime direkte në Kosovë.

Si arsye për këtë, Drejtori i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, Besian Mustafa, përmend zhvillimet globale dhe ato politike në vend, raporton KTV përcjell albinfo.ch.

Qeveria mban shpresat në hyrjen në fuqi të Ligjit për Investimet Strategjike, që do të lejonte negocimin e drejtpërdrejtë me investitorë, për rritjen e investimeve.

Por, njohës të fushës së ekonomisë nuk presin rritje të investimeve as në vitin që kemi hyrë, për një sërë faktorësh, e mbi të gjitha, pasigurinë e investitorëve të huaj.