Integrimi

Ambasada e Shqipërisë shënon ditën e Pavarësisë

- Gëzuar 28 Nëntorin - Festën e Pavarësisë, Festën e Flamurit për të gjithë!

 

 

Në hollin e objektit Villa Mettlen, përkatësisht të Shkollës së muzikës në Gümligen të Murit afër Bernës, ambasadori i Shqipërisë z. Ilir Gjoni me stafin e tij po priste mysafirët e ftuar për një ceremoni me rastin e kremtimit të 28 Nëntorit – Ditës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit.

Brenda, në tri salla të Villa Mettlen, si zakonisht në manifestime të tilla, mysafirët i prisnin edhe tri tavolina, ndaras, përplot me ushqime të llojllojshme dhe pije respektive.

Shumë përfaqësues të Trupit diplomatik të akredituar në Bernë, takonin personelin e ambasadës si dhe shqiptarët nga Shqipëria e Kosova që jetojnë e veprojnë në Zvicër. Urimet për Festën e 28 Nëntorit dëgjoheshin të shpreheshin në gjermanisht, frengjisht, anglisht e italisht, ngase kishte  mysafirë nga të gjitha trevat e Zvicrës.

Mysafirët sa vjen e shtoheshin, saqë sallat ishin mbushur. Disi, me automatizëm formoheshin grupe të vogla, dhe në shoqërim të një aperoje, ata i uronin njëri-tjetrit 28 Nëntorin – Festën kombëtare të Shqipërisë.

Derisa ambasadori i Shqipërisë, z. Ilir Gjoni takohej me çdo grup, të tjerët diskutonin për tema të ndryshme, varësisht prej profesionit dhe interesit. Dominonin tema nga aktiviteti i shqiptarëve në Zvicër, por edhe mundësia e investimeve në Shqipëri e Kosovë.

Ambasadorit Gjoni, Festën e Pavarësisë ia urova edhe unë, në emër të portalit albinfo.ch, duke kërkuar nga ai që të shpreh përshtypjet e tij nga kjo ceremoni edhe për lexuesit e Albinfos.

Me këtë rast z. Gjoni u shpreh: „Në radhë të parë më lejoni që t’ju falënderoj, që më jepni këtë mundësi për të transmetuar përmes portallit albinfo.ch, portali më i rëndësishëm i shqiptarëve këtu në Zvicër, një mesazh urimi për të gjithë shqiptarët në Zvicër dhe kudo që janë: – Gëzuar Festën e Pavarësisë, Festën e Flamurit për të gjithë!

Më tej ambasadori shqiptar tha se në këtë ceremoni kishte ftuar kryesisht përfaqësuesit e Trupit diplomatik të akredituar në Bernë, por edhe përfaqësues të komunitetit shqiptar që jetojnë këtu në Zvicër. „Në raste të tilla dëshira është t’i ftosh të gjithë, por për arsye logjistike ne kishim ftuar një numër të kufizuar. Pra, kemi ftuar të gjithë përfaqësuesit e Trupit diplomatik të akredituar këtu në Bernë, të cilët shprehën respekt ndaj Ambasadës së Shqipërisë, por përmes saj edhe ndaj shtetit shqiptar dhe shqiptarëve, si dhe dhe disa përfaqësues të institucioneve zvicerane me të cilat ambasada shqiptare ka bashkëpunim të ngushtë“, thotë ambasadori Gjoni dhe shpreh keqardhje për shumë miq që kanë mbetur pa u ftuar, por që shfrytëzon rastin, përmes albinfos, t’i përshëndetë dhe t’ua urojë Festën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në mesin e të ftuarve ishte edhe z. Rico Argioni, tashmë pensionist, i cili që nga viti 1962 deri më 1989 kishte punuar në Administratën Federale të Zvicrës. „Vazhdimisht jam ftuar nga Ambasada Shqiptare, dhe e vlerësoj tejmase ftesën, prandaj sonte ndjehem i privilegjuar që marr pjesë në këtë ceremoni dhe ju uroj gjithë shqiptarëve Festën kombëtare“, u shpreh mysafiri më i moshuar i mbrëmjes.

I gëzuar për përgjigjen ndaj ftesës nga mysafirët e pranishëm, z. Gjoni shprehu faktin se ambasada e Shqipërisë dhe Shqipëria, përkatësisht shqiptarët kanë shumë miq ndër zviceranët, të cilët shtohen dita-ditës, dhe ky rast ishte një rast i mirë për ambasadorin për t’u shprehur mirënjohje autoriteteve zvicerane për bashkëpunimin që ata ofrojnë, për ndihmën që ata i ofrojnë Shqipërsië, por edhe Kosovës në drejtim të zhvillimit dhe konsolidimit të insitucioneve demokratike.

Në konstatimin se ndër të ftuarit kishte edhe njerëz të fushës së biznesit, tregtisë e turizmit, ambasadori Gjoni u shpreh: „Siç e keni konstatuar edhe ju vetë ndër të ftuarit ka pasur edhe njerëz të fushës së biznesit, të tregtisë, të turizmit që shprehin interes për të parë mundësitë e  investimeve apo edhe të angazhimit të tyre në ato fusha, në të cilat ata kryejnë veprimtari në Shqipëri, por edhe në Kosovë, sepse siç e vutë re këtu ishin të pranishëm shumë përfaqësues të komunitetit shqiptar të kosovarëve siç kishte po ashtu edhe nga shqiptarët e Shqipërisë. Përveç tyre kishte edhe nga fusha të tjera, kishte pedagogë, lektorë, artistë; pra ishte një larmi miqsh, të cilët bashkë me ne festojnë 103-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Kuptohet, ishte një ceremoni dinjitoze që na takon ne për të respektuar dhe për të përkujtuar ngjarjen më të rëndësishme të historisë, të vendit tonë“, shpreh krenarinë prej ambasadori dhe shqiptari, para se gjithash, z. Gjoni.

Në pyetjen se në ç’masë janë investimet e huaja, dhe si është gjendja e turizmit në Shqipëri, z. Gjoni, i cili për asnjë çast nuk e ndau Kosovën nga Shqipëria, tha,: „Edhe ne po përpiqemi që të punojmë në drejtim të kësaj dhe ndër planet e ambasadës për vitin e ardhshëm është organizimi i një forumi ekonomik ku synojmë të ftojmë funksionarë të lartë të shtetit shqiptar, por edhe nga Kosova, si dhe tërë bizneset e shqiptarëve që veprojnë këtu në Zvicër, si dhe bizneset zvicerane dhe investitorët e fuqishëm zviceranë. Zvicra është një vend me potenciale të mëdha, është një vend mik dhe dashamirës i shqiptarëve, dhe kjo mundësi duhet shfrytëzuar; është një fakt që e kam konstatuar unë, se të gjithë ata zviceranë që e kanë vizituar Shqipërinë apo Kosovën, mbas vizitës kanë ra në dashuri dhe kjo është një dashuri afatgjatë“, tha ambasadori Gjoni.