Shkurt.ch

Më shumë të infektuar me HIV në Evropën Lindore

Lajm i mirë është se më pak njerëz në mbarë botën janë të infektuar në vitet e fundit me virusin. Lajmi i keq është se në Evropën Lindore, numri i njerëzve të infektuar ka arritur një rekord  të ri.

Numri i të diagnostikuarve të rinj me HIV në vitin 2014 ka arritur një rekord të lartë në Evropë. Sipas një raporti të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), numri i  të infektuarve të regjistruar vitin e kaluar ka arritur në 142.197.

Më  2013 ishin vetëm 136.235 të diagnostikuar. Në gjithë botën bëhet luftë kundër AIDS-it.

“Ne u bëjmë thirrje që vendet evropiane të marrin masa të guximshme dhe epideminë e HIV ta stopojnë një herë e përgjithmonë”, tha Zsuzsanna Jakab, drejtoreshë e Zyrës Rajonale për Evropë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), përcjell albinfo.ch.

Veçanërisht vendet lindore të Evropës kanë regjistruar një rritje të madhe.  Rusia njoftoi 85.252 infeksione të reja. Në Bullgari, Hungari, Republikën Çeke dhe Sllovaki numri i të diagnostikuarve çdo vit është dyfishuar që nga viti 2005.

Në Bashkimin Evropian (BE), megjithatë virusi është bartur kryesisht pas kontakteve seksuale mes burrave.

“Diagnoza HIV në mesin e meshkujve është rritur në një shkallë alarmante”, tha ajo në raport.

Për sa i përket Zvicrës, në vitin 2014 raportohet për një total prej 519 të  diagnostikuarve që janë konfirmuar me HIV. Kjo paraqet një rënie prej 10 për qind në krahasim me vitin paraprak.