Integrimi

Me votat e shqiptarëve synon Parlamentin e Kantonit të Cyrihut

Përparim Avdili, kandidat i FDP-së për Parlamentin e Kantonit të Cyrihut u prezantua para zgjedhësve të tij potencialë shqiptarë në Qendrën Kulturore të Kosovës në Cyrih

Kandidati shqiptar i FDP-së, Përparim Avdili, në një tubim zgjedhor në Cyrih tha se në fokus të angazhimit të tij politik, nëse zgjidhet deputet kantonal, do të jenë  interesat e komunitetit shqiptar në Zvicër.

Madje ai pret që me votat e komunitetit shqiptar të sigurojë një ulëse në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut.

Promovimin elektoral në Qendrën Kulturore të Kosovës, ku ishin të pranishëm edhe konsujt kosovarë, Sali Sefa e Islam Spahiu, e ka hapur udhëheqësja e kësaj qendre, Shukrie Ramadani.

Sipas Shukrie Ramadanit, ne mund të prezantohemi edhe më ndryshe.

„Suksesi i Përparim Avdylit dhe i të rinjve të tjerë politikanë që janë përfshirë në parti politike të ndryshme zvicerane nuk do të jetë vetëm sukses i tyre, po i tërë komunitetit shqiptar. Është koha e fundit që të mos mburremi vetëm me djelmoshat tanë në futboll”, tha Ramadani.

Ndërsa Enver Robelli, redaktor i gazetës zvicerane “Tages Anzeiger”, kishte pranuar të moderojë promovimin elektoral të Përparim shkakun, siç tha ai, se komuniteti ynë po ndryshon në ambientin në të cilin po rritemi në Zvicër.

Për Robellin, është lajm pozitiv përfshirja e shqiptarëve në jetën politike në Zvicër.

„Jeta jonë publike nuk po reduktohet, siç e kam njohur unë si fëmijë në vitet e 80-ta, kur ne gëzoheshim kur dikush punësohej në Migros”, tha Robelli.

Robelli: “Jo vrap në 300 metra por maratonë”

„Vërtet është zhvillim i madh fakti që shqiptarët po angazhohen në parti të ndryshme, parti të cilat tradicionalisht kanë qenë dashamire të komuniteteve të huaja. Edhe Përparimi po kandidon me një parti, e cila ka themeluar Zvicrën moderne. Angazhimi në një parti politike nuk është vrapim në 300 metra, por një maratonë dhe të shpresojmë se ky fillim do të jetë shumë i mirë për Përparimin”, tha në fillim Robelli.

Pastaj në këtë përballje me gazetarin Enver Robelli dhe bashkëkombësit e mbledhur në këtë tubim elektoral, politikani shqiptar ka filluar të tregojë për motivet e tij politike për të qenë pjesë e FDP-së.

„Angazhimi në Partinë Liberale dhe kandidimi në zgjedhjet kantonale ka ardhur ngase përputhet me bindjet e mia politike”, tha kandidati Avdili.

Pastaj, ai shtoi se do të vazhdojë të angazhohet politikisht nëse zgjidhet deputet kantonal që të ruajë të mirat që ofron Zvicra. Ndërsa kontributi i tij do të ishte në radhë të parë në afrimin e komunitetit shqiptar me filozofinë liberale.

Shoqëria zvicerane proporcionalisht me të huajt po ndryshon dhe këtë e ka vërejtur edhe politikani liberal, Përparim Avdili.

„Nëse bazoheni në statistikat shumë të mëhershme, përqindja e të huajve ka qenë ndoshta edhe më e madhe se tani. Nuk është diçka e jashtëzakonshme të përballesh dhe të bashkëjetosh me zviceranët, prandaj në periudha të ndryshme kohore kanë ndryshuar rrethanat. Prandaj edhe reagimi me inkuadrimin tim në parti nuk ka qenë diçka që është vërejtur se unë jam edhe anëtar i kryesisë dhe zëvendëskryetar i FDP-së në këtë rreth. Nuk ka qenë diçka speciale, ngase ata nuk më shohin si shqiptar, por si qytetar i këtij vendi, që jam rritur këtu”, përgjigjet Avdili.

Nëse zgjidhet Përparim Avdili deputet kantonal, ai do ta trajtojë çështjen shumë të përfolur të reduktimit të ndihmave sociale.

„Aty ku ka keqpërdorime, edhe duhet të ketë dënime, kjo është e qartë.  Sepse ai keqpërdorim i dëmton të gjithë, ngase ne jemi tatimpaguesit dhe kur keqpërdoren fondet, dëmtohen të gjithë qytetarët. Por, rastet duhet të trajtohen individualisht, e jo duke paragjykuar në kolektiv”, thotë Avdili, sipas të cilit keqpërdoruesit kanë bërë që dhe të ndërpritet marrja e pensioneve zvicerane nga qytetarët e Kosovës.

„Është krijuar përshtypja se shqiptarët po i keqpërdorin fondet sociale, edhe për këtë arsye duhet të sensibilizohen autoritetet e këtushme pse po ndodh kjo, duke mbledhur fakte. Por unë mendoj se është qëndrim popullist dhe paragjykim i kotë dhe një vendim i tillë nuk vjen nga partia ime.

Por duhet të binden partitë e qendrës dhe në një të ardhme të afërt të zgjidhet ky problem”, thekson Avdili.

Sido që të jetë, fokusimi i politikanit me bindjet e tij liberale të djathta do të jetë kundër diskriminimit të të huajve.

Avdili: Zgjedhja e një shqiptari me votat e komunitetit shqiptar, tregon fuqinë tonë

„Unë e di më së miri se si është me të huajt, ngase unë i takoj gjeneratës së dytë të migrantëve. Angazhimi do të jetë me prioritet të madh edhe aty, ngase e di sesa i rëndësishëm është dhe i kuptoj kërkesat e tyre, ngase vetë kam qenë i huaj dhe me 16 vjet e kam marrë shtetësinë zvicerane. Duhet të sensibilizohen dhe të krijohen mundësitë për një integrim më të mirë dhe të shpejtë të të huajve. Mirëpo integrimi nuk duhet të jetë vetëm përgjegjësi e shtetit dhe e shoqërisë, por edhe e individit, se a do të integrohet a jo”, thekson Avdili.

Ai ka pranuar se fushata e tij zgjedhore është fokusuar te komuniteti shqiptar për t’i informuar ata për rrjedhat politike. Ka raste kur shqiptarët janë më mirë të informuar me sistemin politik sesa zviceranët, por ka të tillë që nuk janë të informuar as se si votohet dhe pse votohet.

Kandidati i FDP-së ka treguar përvoja të tilla edhe me zviceranët, duke u bazuar në pjesëmarrjen e zgjedhjeve të fundit kantonale, ku ishte vetëm 33 për qind.

„Sa më i madh të jetë numri i zgjedhësve, më të fortë do ta kem përkrahjen në parti, e cila është mjaft e fuqishme në Zvicër. Kur zgjidhet një shqiptar me votat e komunitetit shqiptar, atëherë shihet edhe realiteti dhe fuqia jonë dhe përmes asaj mund të realizohen projekte në interes të shqiptarëve”, thotë Avdili, duke u përgjigjur në pyetjen se a ka bërë pazare me partinë për të realizuar ndonjë projekt të komunitetit shqiptar.

Interesimi i vogël i shqiptarëve me shtetësi zvicerane për të dalë në zgjedhje ishte ngritur si shqetësim në këtë promovim zgjedhor në Cyrih.

Kandidati Përparim Avdili thotë se pikërisht për këtë arsye po bën fushatë edhe me bashkëkombësit e tij që të mobilizohen dhe të tregojnë më shumë interesim për proceset politike në Zvicër.

Në fund ai ka informuar simpatizantët e mbledhur për mënyrat e votimit në Zvicër.