Maqedonia

Mediat greke pasqyrojnë marrëveshjen Zaev-Cipras, ANEL dhe Ivanov kundërshtojnë

Mediat greke e kanë pasqyruar gjërësisht marrëveshjen e arritur mes dy kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, gjatë telefonatës së mbrëmshe, ku kanë mbetur vetëm disa detaje të vogla për ta përfunduar atë, informon albinfo.ch.

E përditshmja athinase “Eifemerida” dhe “Radio 24/7” thonë se emri i ri do jetë “Republika Severna Makedonija”, shqip – “Republika e Maqedonisë Veriore” dhe anglisht – “Republic of North Macedonia”, dhe do ketë përdorim të përgjithshëm erga omnes.

Më tej, mediat greke theksojnë se identiteti dhe gjuha nuk do ndryshohen por do mbeten “maqedonase”. Në marrëveshje preket edhe Kushtetuta e Maqedonisë ku duhet të ndryshohet neni 49 ku thuhet se “Republika kujdeset për pozitën dhe të drejtat e pjesëtarëve të popullit maqedonas në shtetet fqinje.”

Një Komision i veçantë do të duhet të merret vesh për përdorimin e masave mbrojtëse tregtuese nga ana e të dyja shteteve.
Pranohet gjuha maqedonase me fusnotë si gjuhë sllave;
Sa i takon shtetësisë, do të përdoret termi “qytetarë maqedonas” i “Republika Severna Makedonija”, që sipas mediave greke, në mënyrë eksplicite thekson se qytetarët e atij shteti nuk lidhen me civilizimin antik grek.

Hapat e ardhshëm

Në shtypin grek, theksohet se hapat e ardhshëm që duhet të arrihet pajtueshmëri në marrëveshjen e emrit Zaev – Cipras, është ratifikimi i kësaj marrëveshjeje në Kuvendin e Maqedonisë. Nëse presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov do të refuzojë ta nënshkruajë të njëjtën, ashtu edhe siç pritet, menjëherë duhet të vijojë edhe votimi i dytë.

-Qeveria e Greqisë, nëpërmjet letrës do ta informojë Bashkimin Evropian dhe NATO-n, se nxit nisjen e bisedimeve me BE-në, dhe marrjen e ftesës për anëtarësim në Aleancë, që pasi të bëhen ndryshimet kushtetuese.
-Në Këshillin Ministror të Punëve të Jashtme të BE-së, në Samitin e BE-së, Greqia do të kërkojë t’i jepet “dritë jeshile” Maqedonisë, edhe përskaj kundërshtimit të Francës dhe Holandës, por me përkrahje të Gjermanisë.
-Në Samitin e NATO-s të 11 korrikut, që mbahet në Bruksel, “Republika Severna Makedonija” do të marrë ftesë për anëtarësim në NATO, e cila do të varet edhe nga revizioni kushtetues.
-Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev me letër do t’i informojë 190 shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara, se shteti në të ardhmen, në raportet bilaterale dhe në forumet ndërkombëtare, do të mbajë emrin “Republika Severna Makedonija”.

Në lidhje me këtë, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka deklaruar se marrëveshja për emrin Maqedoni – Greqi do të arrihet sot, duke u shprehur optimist se ajo do të jetë diçka e bukur. Telefonatë tjetër mes dy kryeministrave është paraparë për të enjten, ndërsa gjithçka që do arrihet do i kumtohet publikut. Në vjeshtë Maqedonia do parasheh edhe referendum për këto ndryshime.

Është për t’u përmendur se partia Grekët e pavarur (ANEL) që bashkëqeverisin me Syriza të Cipras, në konferencën e sotme për shtyp (e martë), lideri i saj Kammenos tha se do kundërshtojë secilën marrëveshje ku emri i ri do përmbajë termin “Maqedoni”. Ngjashëm edhe presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov nga opozitarja VMRO-DPMNE, kundërshton ndryshimet kushtetuese.