Shqipëria

MEPJ: Po punojmë për rikthimin e anijes së bllokuar në Libi

Anija “Envi 1” ishte nisur nga Porti i Zuaras mbrëmjen e së premtes, me destinacion final Maltën

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri ka njoftuar se ata po punojnë për rikthimin e anijes tregtare shqiptare, e ndaluar nga Marina ushtarake e Libisë me akuzën e transportit të paligjshëm të mallrave.

Anija “Envi 1” ishte nisur nga Porti i Zuaras mbrëmjen e së premtes, me destinacion final Maltën. Anija është në pronësi të një shqiptari dhe lundronte në det me flamur të Panamasë, ndërkohë që drejtohej nga kapiteni malazez, Marko Markoviç. Mediet shqiptare raportojnë se sipas njoftimeve të para, anija u ndalua pas dyshimeve për transport të paligjshëm të materialeve të ndërtimit, përfshirë dhe rërën.

Burime nga MEPJ thonë se, nga kontaktet e vazhdueshme me të, marinarët ndodhen në anije dhe nuk ka asnjë problem që i shqetëson ata. Ndërkohë, përfaqësues të Ministrisë janë në kontakt me Marinën e Libisë për të bërë të mundur kthimin e tyre në vendin tonë.

Anija “Envi 1” ishte nisur nga Porti i Durrësit më 5 shtator e destinacion Zuaran e Libisë.