E-Diaspora

“Meraklitë e Kerreve”

U krijua spontanisht por brenda një kohe të shkurtër u tubuan më shumë se 63 mijë anëtarë, ndërsa brenda ditës ka deri më 1500 postime

Shqiptarët thuhet se janë të pasionuar pas veturave dhe shpejtësisë. Që nga veturat e vjetra e deri tek ato më të reja me çmimet të shtrenjta. Por, nuk mjafton të kesh vetëm vetura super luksoze, por edhe të flasësh për to, dhe të ndash me shokët. Kështu u krijua edhe grupi “Marakli t’kerreve” në Facebook, që brenda një kohe të shkurtë u bë shumë i njohur dhe me shumë debate për vetura, por edhe me iniciativa dhe organizime të ndryshme, shkruan albinfo.ch.

Njëri nga themeluesit e këtij grupi është edhe Valon Mehmeti. Ai tregon më shumë detaje në lidhje me këtë grup. “Grupi është krijuar në fund të vitit 2016 dhe ideja ka qenë shumë spontane. Brenda një kohe të shkurtë është rritur numri i anëtarëve dhe deri më tani ka më shumë se 63 mijë anëtarë”, thotë Mehmeti për albinfo.ch.

Deri në 1500 postime në ditë

Por, në këtë grup ka shumë diskutime, postime, ‘like’ e komente, duke e bërë jashtëzakonisht aktive faqen. “Brenda ditës ka nga 500 deri më 1500 postime, por varet nga ditët. Aktiviteti po shtohet në bazë të postimeve, dhe çdo ditë e më shumë po zgjerohemi”, shton tutje Valoni. Por, grupi synon edhe më shumë. “Synimet për të ardhmen janë depërtimi edhe në autosporte (formimi i autoklubit), e sa i përket zgjerimit, ne po zgjerohemi çdo ditë e më shumë”, shtoi bashkëbiseduesi, duke theksuar se ky grup është krijuar nga disa shokë. Në këtë grup ka shumë anëtarë nga diaspora. “Po, ka shumë. Dhe janë shumë aktivë”, shprehet Valon Mehmeti.

Postimet në këtë faqe janë nga më të ndryshmet. Anëtarët kërkojnë ndihmë për veturat e tyre, pjesë të veturave apo edhe për t’u marrë me organizime të ndryshme. “Marakli sa prej juve jeni për me shku në Shkup me organizu ni miting atje, psh me u bo 4 marakli me 1 kerr që me pas shpenzime më pak, ama qëllimi është me shku me shumë kerre”, (postimi i pandryshuar) shkruan njëri nga anëtarët që merr shumë ‘like’, por edhe komente, duke përgëzuar iniciativa të tilla, që janë edhe nëpër qytetet tjera të Kosovës.

Po të qëndrosh një ditë aktiv në “Facebook”, e kupton se sa aktive është kjo faqe, sa i duan shqiptarët veturat dhe sa janë të pasionuar pas tyre.

Ky grup është krijuar në fund të vitit 2016 dhe deri më tani ka më shumë se 63 mijë anëtarë

Në këtë grup, ka postime nga 500 deri në 1500 brenda një dite, me shumë ‘like’ e komente

https://www.facebook.com/maraklitkerreve/