E-Diaspora

Mërgim Brahimi lë Shqipërinë për Zvicrën

Mesfushori 20 vjeçar nga Kosova i ka njoftuar zyrtarët e Federatës me vendimin e tij që t’i lë ngjyrat kuq e zi për t’iu bashkuar helvetikëve

Mërgim Brahimi e ka refuzuar Shqipërinë për Zvicrën. Në fakt, ai i ka braktisur ngjyrat kuq e zi të Shqipërisë, të cilat i ka bartë disa herë, për ta vesh fanellën e Zvicrës, që ia kanë afruar helvetikët.

Lajmin e kanë bërë të ditur mediat shqiptare, duke u thirrur në burimet e tyre brenda Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF).

Sipas tyre, vetë mesfushori 20 vjeçar nga Kosova i ka njoftuar zyrtarët e FSHF-së me vendimin e tij që t’i lë ngjyrat kuq e zi për t’iu bashkuar helvetikëve.

Brahimi i kishte rënë në sy Shqipërisë gjatë një kampi që e kishte organizuar FSHF-ja në Zvicër me talentë shqiptarë që jetojnë në atë vend. Ndërsa, në gusht të vitit 2011 ai ishte pajis me pasaportë shqiptare, me ç’rast edhe i kishte zhvilluar disa ndeshje me shpresat e Shqipërisë, duke e shënuar edhe një gol. Kurse, me Përfaqësuesen A të Shqipërisë ai ka luajtur pak minuta në Stamboll kundër Iranit.