Lajme

Mërgimtarë ferizajas, të interesuar të investojnë në vendlindje

Svarqa shprehu falënderimet e tij për këtë interesim dhe tha se komuna do të ofrojë mjaft lehtësime për investimet që do të bëhen këtu nga kushdo qoftë

Kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, në kuadër të takimeve të shumta me mërgimtarët që jetojnë në vende të ndryshme të botës ka zhvilluar sot një takim miqësor me Agim Sejdiun udhëheqës i shoqatës “Kosova” në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Svarqa shprehu falënderimet e tij për këtë interesim dhe tha se komuna do të ofrojë mjaft lehtësime për investimet që do të bëhen këtu nga kushdo qoftë.

“Ne i ofruam dokumentet dhe udhëzimet që posedojmë për investimet e bashkatdhetarit Sejdiu dhe presim rezultatet konkrete brenda pak kohësh. Mirëpresim secilin bashkëpunim të dobishëm për qytetarët tanë. Për ata që investojnë edhe palët që do të mund të gjejnë punë nga këto investime”, pohoi Svarqa.

Sejdiu shprehu përgëzimet e tij për zhvillimet pozitive që po ndodhin në Kosovë, duke treguar edhe synimet e tij e të shokëve nga Bostoni për investime të rëndësishme në Kosovë, thuhet në njoftim të komunës së Ferizajt.

“Vërtet kemi dëshirë të jemi të lidhur me Kosovën prandaj diskutojmë shpesh të investojmë edhe kapitalin tonë këtu, prandaj u orientova në komunë për të marrë udhëzimet se di duhet vepruar. Mësova se ka disa procedura që lidhen edhe me nivelin qendror dhe pak ngadalë ecin këto punë, por unë kam një plan familjar dhe gjithsesi do të bëjmë diçka në vitet e ardhshme” tha Agim Sejdiu nga ShBA-ja.

Ai më tutje ka njoftuar kryetarin Svarqa për aktivitetin e shoqatës “Kosova” me ç’rast punohet mjaft në parandalimin e asimilimit të fëmijëve shqiptar në Boton ku jetojnë mbi 1 mijë e 500 shqiptarë , pastaj në ofrimin e shumë donacioneve për fëmijët e sëmurë, si dhe në rastet e tjera humanitare. U premtua se aktivitetet e tilla do të jenë edhe më të shpeshta në të ardhmen.