Kosova

Mërgimtari nga Gjermania ende nuk është liruar nga policia serbe

Matoshi që është arrestuar dje në pikën kufitare tek Dheu i Bardhë po vazhdon të mbahet nga policia serbe

Policia kufitare serbe ka arrestuar dje Ibrahim Matoshin nga Gjilani, por që jeton në Gjermani dhe është shtetas gjerman.

Matoshi që është arrestuar dje në pikën kufitare tek Dheu i Bardhë po vazhdon të mbahet nga policia serbe.

Familjarët e Matoshit kanë thënë për Klan Kosovën se i afërmi i tyre po vazhdon të mbahet në Vranjë.

“Ne akoma zyrtarisht nuk kemi marrë asnjë informacion për arsyen e arrestimit”, ka thënë Musli Matoshi, vëllai i Ibrahim Matoshit, përcjell albinfo.ch.

“Tashmë avokati ynë po merret me këtë çështje, ndërsa jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me ambasadën gjermane sikurse në Kosovë po ashtu edhe në Beograd si dhe me të gjitha institucionet tjera relevante”.

Matoshi, që është stomatolog në Gjermani, kishte përfunduar pushimet në Kosovë dhe po kthehej për në Gjermani nga pika e njëjtë prej të cilës ishte futur në Kosovë.