Maqedonia

Mërgimtari nga Maqedonia ndërton salla sportive për fëmijët në fshatin e tij të lindjes

Sallat e renovuara nga Kadriji, i kanë të gjitha kushtet e nevojshme për realizimin e aktiviteteve sportive, ndërsa më parë nuk kanë pasur asgjë përveç mureve dhe dritarev

Mërgimtarët e Pollogut investojnë paratë e tyre për ndërtimin e objekteve dhe terreneve sportive, për t’u krijuar kushte të mira gjeneratave të reja që në mënyrë të frytshme të shfrytëzojnë kohën e lirë dhe të zhvillojnë talentin e tyre në sportin e mundjes dhe të gjimnastikës.

Një shembull i shkëlqyer i investimit të parasë private në arsimimin dhe edukimin e drejtë të gjeneratave të reja, është Bujar Kadriji, banor i fshatit Dobërdoll të Gostivarit dhe pronar i një biznesi të suksesshëm në Kroaci.

Kadriji, i cili ka qenë kampion i Kroacisë në mundje, me paranë e fituar me shumë mund në mërgim, tërësisht ka renovuar dy klasat e shkollës fillore “Sali Lisi” dhe i ka shndërruar në salla sporti, ku të rinjtë e fshatit mund të merren me  sportin e mundjes, ndërsa vajzat me gjimnastikë.

Pas kthimit në vendlindje, ai ishte dëshpëruar kur kishte parë se fëmijët pas orëve të mësimit enden kot rrugëve të fshatit dhe nuk shfrytëzojnë kohën për të realizuar aktivitete sportive.

“E fillova, sepse rrugës shikoja gjithmonë fëmijë të cilët kanë nevojë të merren me sport. Posaçërisht me sporte luftarake, për të cilat ne shqiptarët kemi talent më shumë se nacionalitet tjera dhe vendosa që të ndërtoj këtë sallën këtu” rrëfen Bujar Kadriji, raporton “Almakos”.

Sallat e renovuara nga Kadriji, i kanë të gjitha kushtet e nevojshme për realizimin e aktiviteteve sportive, ndërsa më parë nuk kanë pasur asgjë përveç mureve dhe dritareve, përcjell albinfo.ch.

“Është vendosur parketi, dyshekët, prej ceradës përsipër, pasqyrat, ndriçimi, lyerja e sallës, komplet domethënë e kam bërë me vetfinancim. Nuk ka lidhje ajo që unë e kam bërë me vetfinancim, sa më gëzon fakti që këtë sport jua prezantoj fëmijëve, të cilët kanë shfaqur shumë interes”, thotë me tej Kadriji.

Në sallat e sportit ushtrojnë gati 50 fëmijë të moshave të ndryshme, ku Kadriji njëherësh është edhe trajner sporti, ndërsa gjithçka fëmijëve u ofrohet falas. Ai është veçanërisht i gëzuar që hapja e klubit të gjimnastikës për vajzat është pritur me shumë interes, sepse ato në të kaluarën nuk kanë pasur mundësi të tregojnë aftësitë e tyre fizike.

“Unë jam i sigurt dhe kam parë, se me të vërtet prej 40 vajzave që janë prezente nëpër stërvitjet e gjimnastikës, 10 prej tyre i realizojnë ushtrimet sikur të jenë profesioniste”, thotë trajneri Kadriji.

Tani kur klubi i mundjes Besa është themeluar, trajneri Kadriji mendon për të ardhmen, sepse duhet të sigurohet ekzistenca e tij.

Kontributi i mërgimtarëve për fshatin e tyre nuk përfundon me kaq.

Përballë shkollës është bërë një investim edhe më i madh, që arrin vlerën e mbi 150 mijë eurosh, donacion nga Haxhi Muhamet Tahiri, i cili ka rregulluar fushën e sportit, e cila për vite të tëra kishte mbetur një djerrinë e papërdorshme.

“Personi që ka investuar është shumë human. Kemi instaluar sistemin e vetujitjes, reflektorët që japin ndriçim rreth 54 mijë vat që ushtrimet dhe ndeshjet të mund të realizohen edhe gjatë natës. Edhe zhveshtoret janë me kushte shumë të mira, ulëset i presim nga dita në ditë që të vijnë të montohen. Ky është hap i madh për fshatin tonë, që të kemi fushën tonë, klubin e mundjes”, sqaron Kadriji.