Shqipëria

Merkel e pavendosur nëse mbështet fillimin e negociatave, për Ramën nuk lejohet të humbet kohë

Sinjale të forta mbështetjeje për Shqipërinë vijnë nga të majtët e SPD dhe Të Gjelbërit.

Nëse bëhet fjalë për kryeministrin shqiptar Edi Rama, atëherë gjithçka është e qartë. Shqipëria nuk lejohet të “humbë kohë në hapjen e negociatave për anëtarësim,” tha 53 vjeçari të mërkurën gjatë takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel (CDU), shkruan “Tages Anzeiger”, duke shtuar se KE vendosi për hapjen e negociatave më Tiranën përkundër që vendi ka deficit në luftën kundër korrupcionit dhe krimit të organizuar.

Por nëse vërtet do fillojnë negociatat, për atë vendosin vetë shtetet anëtare të BE – dhe jo vetëm Gjermania. Për këtë është tepër me rëndësi takimi i Ramës dhe Merkel.

“Merkel nuk ishte e qartë nëse mbështet vërtet hapjen e negociatave me Shqipërinë,” përcjell albinfo.ch. Deri në takimin e lartë të BE në qershor, do ketë kohë për të “krijuar mendimin” e saj rreth kësaj çështje.

Edi Rama krahas Merkel ka takuar edhe shefin e Bundestagut gjerman Wolfgang Schäuble (CDU) dhe anëtarët gjermanë të Komitetit Europian.

Shumë deputetë të djathtë gjermanë e shohin me kritika hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe kanë frikë mos bëjnë gabimin e njëjtë si me Bullgarinë dhe Rumaninë në 2007. Disa sosh bile janë kategorikisht kundër.

Megjithatë, në spektrin tjetër politik, nga të majtët e SPD dhe Të Gjelbërit, nuk kanë diçka kundra për fillimin e negociatave me Shqipërinë. Bile “kjo do ndihmonte në demokratizimin e vendit në fushën e drejtësisë dhe luftës kundër korrupcionit dhe krimit të organizuar” si dhe hapja e negociatave nuk është “fundi por fillimi i një procesi të gjatë të reformave” respektivisht.