CH-Ballkani

Merkel viziton Tiranën

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të realizojë një vizitë zyrtare në Tiranë më 8 korrik 2015.

Vizita është konfirmuar gjatë vizitës zyrtare të kryeminstrit të Shqipërisë, Edi Rama në Berlin.

Kjo do të jetë vizita e parë e zonjës Merkel në Shqipëri, njëkohësisht edhe e para e një Kancelari të Republikës Federale të Gjermanisë.

“Vizita e zonjës Merkel shënon një moment të veçantë në marrëdhënien dhe bashkëpunimin mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, qoftë në kuadrin e politikave rajonale dhe integruese përmes procesit të Berlinit, qoftë në fushën ekonomike dhe tregtare”, bën të ditur Zyra e Shtypit e Kryeministrisë në Shqipëri.

Investimet gjermane në Shqipëri  sipas të dhënave statistikore në vitin 2014, operonin 146 ndërmarrje gjermane dhe të përbashkëta shqiptaro – gjermane nga 121 që ishin në vitin 2010-të, dukë shënuar një rritje me mbi 20%.

Volumi tregtar me Gjermaninë në vitin 2014 ishte rreth 40.2 miliardë 287 milionë euro duke shënuar një rritje prej rreth 29% në krahasim me vitin 2010.

Nga pikëpamja e volumit tregtar, Gjermania në vitin 2014 renditet si partneri i pestë tregtar më i madh me Shqipërinë.

Gjermania është donatori më i madh ndër vendet e Bashkimit Europian në Shqipëri.