Gjuha

Mësimi shqip në diasporë, në fokus të një konference

Tema e konferencës ka qenë kontributi i mësimit plotësues në gjuhën shqipe në përmirësimin e orientimit midis kulturës së parë, të dytë dhe interkulturës

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

NEZ që është shkurtesë në gjermanishte për Rrjetin “Kultura e parë, e dytë dhe interkultura” që në kuadrin e projektit “Edukimi për demokraci” ka zhvilluar nga 7 deri më 9 maj në Cyrih konferencën e vet të katërt. Tema bosht e konferencës ka qenë Kontributi i mësimit plotësues në gjuhën shqipe në përmirësimin e orientimit midis kulturës së parë, të dytë dhe interkulturës.

Në një organizim kompleks të udhëhequr nga Shkolla e Lartë Pedagogjike e Cyrihut, gjegjësisht Qendrës për Projekte Ndërkombëtare në arsim pranë kësaj shkolle, janë përfshirë shumë pjesëmarrës në cilësi ekspertësh apo përfaqësuesish të institucioneve dhe asociacioneve të ndryshme. Synim i tyre ka qenë që të përthekojnë nga sa më shumë aspekte dhe perspektiva, mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Zvicër. Për këtë qëllim janë mbajtur një numër ligjëratash dhe punëtorish të ndryshme nga persona kompetentë, shqiptarë e zviceranë.

Gjatë ditës së parë, pjesëmarrësit e ardhur nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, bashkë me organizatorët kanë vizituar disa pika shkollore të mësimit plotësues në gjuhen shqipe. Ditën e dytë ata, në kombinim me ligjëratat e dëgjuara dhe punëtoritë, kanë shkoqitur dhe trajtuar përvojat nga këto vizita.

Punimet e konferencës i kanë përshëndetur në emrin e nikoqirit dhe financuesit të projektit, rektori i Shkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut Prof.dr. Walter Bircher dhe përfaqësuesi  i SBFI (Sekretariati Shtetëror për Arsim, hulumtim dhe inovacion), Benedikt Hauser.

Prof.Dr. Basil Schader në cilësinë e përgjegjësit të projektit, i ka drejtuar punimet e konferencës.

“Katër perspektivat” nga të cilat është shikuar mësimi plotësues në gjuhën shqipe janë prezantuar përmes katër inputeve përkatëse.

Mësuesi i shkollës shqipe, gjegjësisht kryetari i LAPSH-it, Nexhat Maloku ka folur nga perspektiva e kulturës së parë dhe interkulturës. Ai ka bërë një prezantim të gjerë të shkollës shqipe në Zvicër nga fillimet e saj e deri më tash, duke zënë në gojë specifikat e kësaj shkolle që ndryshon shumë nga ato të komuniteteve tjera të huaja në Zvicër. E mbajtur gjallë kryesisht nga entuziazmi i mësuesve dhe prindërve të nxënësve, shkolla shqipe vetëm rrallë dhe në mënyrë sporadike ka gëzuar mbështetjen e shoqërisë, ose institucioneve zvicerane dhe shqiptare.

Perspektivën e dytë, atë interkulturore, e ka përfaqësuar ish nxënësja e mësimit plotësues, Melani Alilaj. Ajo, si fëmijë e lindur dhe rritur në Zvicër, me, siç ka thënë, shtytjen e nënës së saj, ka ndjekur mësimet në gjuhën shqipe gjatë gjithë ciklit të shkollës fillore. Nga kjo perspektivë, Melania, e cila sot është studente e pedagogjisë, ka shpalosur para të pranishmëve përvojën e saj. Pasi ka bërë një bilanc të kësaj përvoje, me te mirat dhe dobësitë, ajo ka konstatuar se ndjekja e mësimit plotësues ia ka vlejtur, pasi e ka ndihmuar në kompletimin e personalitetit të saj.

Perspektivën e tretë, gjegjësisht atë të kulturës së dytë, zvicerane, e ka prezantuar Regina Bühlmann nga departamenti i Arsimit të Kantonit të Cyrihut. Ajo ka shkoqitur atë që në Zvicër gjegjësisht në Cyrih kuptohet me termin “kurs i gjuhës së vendit të prejardhjes” (HSK). Brenda një emërtimi të tillë zyrtar hyn edhe mësimi plotësues në gjuhën shqipe. Cila është korniza brenda të cilës mundësohen këto “kurse”, çfarë ofron shteti dhe çfarë pritet nga bartësit e mësimit plotësues të komuniteteve të huaja, ka qenë tema e shtjelluar nga znj. Bühlmann.

Ndërsa nga perspektiva e katërt dhe e fundit, ajo “e jashtme”, nga vendi i prejardhjes, ka folur Nuhi Gashi, përgjegjës për shkollën në diasporë në kuadrin e Ministrisë së Arsimit të Kosovës. Ai ka bërë një prezantim të gjerë të organizimit të mësimit plotësues  në gjuhën shqipe jashtë vendit. Gashi pastaj ka folur për pjesën e ndihmesës që institucionet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë e japin për shkollën shqipe në diasporë. Kjo ndihmesë konsiston në përpilimin e kurrikulave dhe të teksteve mësimore, pastaj në organizimin e seminarit tradicional vjetor për mësuesit e diasporës etj.

Në kuadrin e projektit “Edukimi për demokraci” janë paraparë 5 edicione. Ka qenë një edicion i mbajtur në Zvicër, pastaj një në Prishtinë, një Shkup dhe pas këtij që u mbajt për së dyti në Zvicër, edicioni përmbyllës është paraparë të mbahet ne Tiranë vjeshtën që vjen.

“Edukimi për demokraci” dhe mësimi plotësues në gjuhën shqipe

“Një rrjet intelektualësh kryesisht nga fusha e didaktikës por edhe fusha të tjera kulturorë e arsimorë brehen bashkë rreth temës bosht, “Edukimi për demokraci” brenda sistemeve shkollore. Në fokus të tyre janë skemat kulturore, konventat, vlerat kulturore në katër njësi kulturore shqiptare: Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në diasporën shqiptare, në Zvicër”, thotë për albinfo.ch Nuhi Gashi, përgjegjës për shkollën shqipe ne diasporë, ne kuadrin e Ministrisë së Arsimit të Kosovës.

“Këto janë parë nga perspektiva shqiptare dhe ajo zvicerane. Nga kjo e fundit duhet cekur se janë përfshirë njerëz të specializimeve të ndryshme, si gjuhësisë, etnologjisë antropologjisë por edhe përfaqësues institucionesh zvicerane. Ka pasur një mori perspektivash, pikëpamjesh, konceptesh të gjitha në shërbim te identifikimit të modelit kulturor shqiptar deri te funksionet identitare të shqiptarëve në Zvicër. Mësimi plotësues shqip ka qene tema e konferencës së zhvilluar në Cyrih por të gjitha veprimtaritë janë zhvilluar brenda konceptit bosht “Edukimi për demokraci” për të cilën ne shqiptarët kemi realisht shumë nevojë, ka përfunduar Nuhi Gashi.