Gjuha

Mësuesi Vaxhid sfidon krizën e shkollës shqipe duke hapur klasa të reja

Mësuesi Vaxhid Sejdiu me punën, angazhimin dhe përkushtimin e tij në kuadër të shkollës shqipe është bërë model, se si duhet të punojnë mësuesit në shërbim të fëmijëve shqiptarë në mërgatën shqiptare

 

  • Ilustrim

Viti shkollor 2017/18 tashmë ka filluar edhe për mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Diku më herët apo diku më vonë varësisht nga fillimi i vitit shkollor në kantonet zvicerane.

Kësaj radhe po i bëjmë portretin mësuesit Vaxhid Sejdiu, i cili prej më se dy dekadash punon me një përkushtim të veçantë, me qëllim që në kuadër të shkollës shqipe të ofrojë sa më shumë nxënës. Puna dhe angazhimi i tij në orët mësimore të gjuhës shqipe është model. Fjalët të cilat i thonë, nxënësit apo prindërit dëshmojnë për angazhimin e tij të përditshëm në shërbim të shkollës shqipe, sepse siç thotë edhe ai vetë “gjuha shqipe është letërnjoftim i shqiptarëve dhe pa të shqiptarët nuk kanë kuptim”.

Sa herë që hapim temën për shkollën shqipe marrin një mori informatash pozitive dhe negative, me vend dhe pa vend, por mbi të gjitha, aty ku punohet, nuk ka vend për fjalë por dëshmitë, numri i nxënësve në klasa, qëndrimi i mësuesit, fjalët e prindërve formojnë një tufë lule për mësuesin Vaxhid Sejdiu, i cili për asnjë çast nuk ndal hovin në hapjen e pikave shkollore apo në rritjen e numrit të nxënësve. Për ta vërtetuar një gjë të tillë vizituam disa pika shkollore ku mësuesi Vaxhid punon dhe angazhohet me tërë qenien e tij në shërbim të gjeneratës së re, që ata ta ruajnë sa më mirë dhe ta mësojnë gjuhën e tyre amtare. Apo siç thotë dhe vetë “emrat e bukur të fëmijëve shqiptarë nuk kanë kuptim pa gjuhën e nënës, pa gjuhën e nënës edhe ardhmëria e tyre errësohet”.
Vizituam pikat shkollore në Mels, në Flums, në Neunhof dhe në Spreitenbach dhe u bindëm se ato fjalë që thuhen për angazhimin e tij nga Gjeneva e deri në Buchs të San Gallenit janë të vërteta. Klasat në fjalë nuk ishin ato klasa, që jemi mësuar, me nga 3-4 nxënës por përplot me nxënës. kur t`i shikosh, ndjehesh si në Kosovë, ku klasa e mbushur me nxënës dhe secili prej tyre me interesim të veçantë përcjell fjalët e mësuesit. Ato fjalë të zgjedhura dhe të shqiptuara mirë e drejt. Ajo që bie në sy janë grupet e nxënësve të ndara sipas niveleve sepse edhe numri i madh i nxënësve e mundësonte një gjë të tillë.
Përveç kësaj mësuam edhe nga përfaqësuesit e komunave ku zhvillohej mësimi në gjuhën shqipe, se mësuesi Vaxhid është mirë i integruar në shoqërinë zvicerane, kontaktet e tij me institucionet shkollore kantonale janë të rregullta dhe tepër miqësore. Me të drejtë thotë se përkrahja dhe mbështetja e drejtorive të shkollave është e veçantë.

Po sikur mësuesit dhe prindërit shqiptarë të ishin të interesuar për mësimin e shkollës shqipe, siç janë të interesuara institucionet zvicerane, numri i nxënësve shqiptarë do të ishte edhe shumë herë më i madh. i pyetur se si arrin ta mbaj në këtë nivel shkollën shqipe pa asnjë ndihmë institucionale, mësuesi thotë: “Nevojitet punë dhe vetëm punë, dhe jo fjalë. Dhe në këtë rrugëtim nëse punohet me përkushtim vazhdimisht gjenden bashkëpunëtorë, me të cilët suksesi nuk mungon. Në këtë drejtim jam i obliguar të falënderoj të gjithë ata prindër – veprimtarë të arsimit shqip, të cilët ndihmojnë në mënyrë vullnetare, pastaj drejtoritë e shkollave zvicerane me gjithë personelin, aty ku zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe, të cilat me dekada janë partnerë kryesorë dhe pa ta ky sukses as që mund të merrej me mend.

Sa jeni të kënaqur me përfshirjen e fëmijëve në mësimin plotësues?

Nuk e di, te unë ka mjaft nxënës, të cilët i vijojnë mësimet në gjuhën shqipe, një gjë e kam të qartë nevojitet shumë punë. Mësuesi duhet të punojë jashtëzakonisht shumë dhe pa u lodhur.

Ç`mendim keni për prindërit shqiptarë?

Prindërit shqiptarë janë të mrekullueshëm, por me ta duhet të punohet, duhet të bashkëbisedohet, sepse ata kanë nevojë për informim të drejtë dhe të sinqertë. Ata kanë nevojë që t`iu thuhen gjërat ashtu siç janë, pa hiperbolizime. Por në momentin që ta beson fëmijën duhet që ky besim të dëshmohet, sepse në rastin që prindi dëshpërohet atëherë ai shndërrohet në një zëdhënës negativ për shkollën shqipe.

Cilat janë përpjekjet tuaja që kanë dhënë rezultat në rritjen e numrit të nxënësve?

Takimet me prindërit shqiptarë, kontaktet me drejtoritë e shkollave zvicerane, bashkëbisedimi me veprimtarët e arsimit shqip etj. Por mbi të gjitha rezultatet janë në orët mësimore. Në momentin që vjen nxënësi në shkollë shqipe bindet se te ne, nuk ka improvizime, por mësim dhe vetëm mësim, për ta mësuar sa më mirë gjuhën shqipe.

Porosia juaj për nxënësit e studentët shqiptarë, që jetojnë dhe studiojnë në diasporë!

E kam thënë dhe e them vazhdimisht, fëmijët shqiptarë nuk kanë kuptim pa gjuhën shqipe. Ato emra të bukur: Gëzim, Besim, Krenare, Shqiprina, Arbëresha, Arta, Larisa, Dardan, Kastriot, Donika, Nora, Alban, Janina, Arvanit, Shkodran, Berat etj., nuk kanë kuptim kur nuk e dinë gjuhën amtare. Gjuha shqipe ua shton bukurinë dhe u jep një pamje të natyrshme. Unë gjithmonë nxënësit e mi i këshilloj që t`i mësojnë gjuhët e huaja e veçanërisht gjermanishten e anglishten, por ua them drejt për drejt në sy nuk ka turp më të madh për fëmijët shqiptarë që nuk mund të merren vesh me familjet e tyre në gjuhën shqipe.

A mjafton që gjuha të mësohet në shtëpi, nga familja?

Natyrisht se jo, gjuha mësohet në shkollë. Në shtëpi ndihmohet ky proces por nuk mund të mësohet. Shih zviceranët nëse dëshirojnë ta mësojnë një gjuhë i ndjekin mësimet në atë gjuhë në shkollë.

A mund të veçoni diçka që si pedagog, ju ka prekur shumë emocionalisht?

Raste të tilla ka mjaft, si p.sh. fëmijët të cilët vijnë me vonesë në shkollë shqipe, dhe rastet e tilla e dëshmojnë qartë dallimin në mes nxënësit, i cili i ka vijuar mësimet në gjuhën amtare rregullisht dhe atij që vjen me vonesë. Fjalëformimi i tij është larg komunikimit normal. Shqiptimi i fjalëve apo pyetjet se pse këto dy shkronja (dh, th, gj, zh…) janë bashkë dhe nuk janë ndaras, apo kur mundohet t`i lexojë ndaras, të japin një pasqyrë pakujdesie, sepse ai pa fajin e tij ka mbetur prapa mësimit në gjuhën e nënës.

Edhe ndonjë gjë tjetër që ju shqetëson?

Ajo që më brengos shumë dhe më shqetëson për të ardhmen e gjeneratës së dytë, të fëmijëve mërgimtarë, janë fëmijët, të cilët pa fajin e tyre nuk i ndjekin asnjëherë mësimet në shkollën shqipe, dhe ata mbesin analfabet në gjuhën e nënës. A ka defekt më të madh se fëmijët, për të cilët prindërit mundohen t`iu sigurojnë banesa apo shtëpi në mërgim apo në vendlindje, mundohen t`ua bëjnë dasmat më të bukura, t`iu blejnë gjërat më të shtrenjta, telefona mobil, biçikleta, makina dhe në fund i lënë pa gjuhën e nënës. Shembull që të prek deri në shpirt dhe të lë pa tekst.
Pastaj ka raste kur fëmijët që nuk mësojnë shqip, kur shkojnë në vendlindje gjatë pushimeve nuk mund të merren vesh me anëtarët e familjes dhe as me bashkëmoshatarët. Shihni ata që nuk e njohin gjuhën kur fillojnë të flasin, së pari i përziejnë fjalët nja 2-3 fjalë shqipe dhe nja 2-3 fjalë gjermanisht apo frëngjisht apo italisht, varësisht nga vendi ku jetojnë, pastaj skuqen, ngushtohen si të ishin të pa gojë. Është shumë e rëndë dhe tepër emocionale.

A ka pasur raste gjatë punës në shkollën shqipe kur jeni dëshpëruar?

Puna e mësuesit është një det me vete, sepse ne edhe administratën, edhe planprogramin, edhe organizimin e bartim me vete. Dhe në këtë rrugëtim na bie të kontaktojmë me prindër me mendime të ndryshme. Më neveritës është kur në takimet me prindër ku janë prezent edhe përfaqësuesit e shkollave zvicerane, kërkesës së psikologes së shkollës, mësuesit apo drejtorisë që fëmijët e tyre t`i dërgojmë në mësim në gjuhën amtare, ata i përgjigjen shkurt – jo se fëmijët e mi flasin gjermanisht dhe nuk kanë nevojë të flasin shqip, bile dhe ne në mes veti flasim gjermanisht. Reagimi i këtillë ndaj gjuhës amtare është neveritës dhe të shtynë të mendosh se si mund aq lehtë njeriu ta harrojë gjuhën e vet.

Përveç orëve të rregullta mësimore, kemi parë ndër vite se në mënyrë të vazhdueshme organizoni manifestime të ndryshme shkollore?

Po, përveç mësimit nxënësit janë të angazhuar edhe në aktivitete të lira, funksionon me sukses grupi i recitatorëve, grupi i valleve dhe në manifestimet shkollore kushtuar festave kombëtare si 28 Nëntorit – ditës së shpalljes së pavarësisë apo 7 Marsit ditës së shkollë shqipe, ata prezantohen me pikat më të mira, me valle autoktone shqipe, me këngë të kënduara nga vet nxënësit. Pastaj kemi në plan shëtitjen me nxënësit në fund të vitit shkollor, garat e diturisë etj.

Si ka filluar ky vit shkollor?

Si çdo vit fillim viti, me një ngarkesë në sistemimin e nxënësve të rijë, të cilët paraqiten për t`u regjistruar, me një ngarkesë të madhe në ndarjen e tyre në grupe etj.

A ka sivjet nxënës të rinj?

Po, ka mjaft nxënës të rinj. Kam hapur një pikë shkollore në Uznach të kantonit të St. Gallenit si dhe kam qenë i detyruar disa pika shkollore t`ua dorëzoj kolegeve që punojnë në kuadër të shkollës shqipe, si pikat shkollore në Buchs, Sevelen dhe Niederurnen.