Lajme

Shpërngulja nga fshatrat në qytet, lë shkollat pa nxënës

Shkolla e mesme e ulët “Azemi e Salihu”, e ndarë me dy paralele fizike, njëra në Hajkobillë dhe tjera në Gllogovicë, ka vetëm 47 nxënës. Në një klasë nuk ka më shumë se deri në 5 nxënës, derisa në një klasë është vetëm një nxënës

Shumë shkolla nëpër zonat rurale kanë mbetur me shumë pak nxënës për shkak të migrimit të qytetarëve nga fshatrat në qytete. Ky trend po vazhdon dhe ka shkaktuar shqetësim për disa fshatra, ndërsa njëri nga to është edhe Dabisheci, i cili gjendet rreth 35 kilometra larg Prishtinës, në malësinë e Gollakut.

Shkolla e mesme e ulët “Azemi e Salihu”, e ndarë me dy paralele fizike, njëra në Hajkobillë dhe tjera në Gllogovicë, ka vetëm 47 nxënës. Në një klasë nuk ka më shumë se deri në 5 nxënës, derisa në një klasë është vetëm një nxënës.

Elvira Gjela, nxënëse në këtë shkollë, ka ndjekur mësimet e vetme që nga klasa e parë. Ajo tani është në klasë të shtatë. Të gjitha këto vite, thotë Elvira, nuk kanë qenë aspak të lehta. Më së shumti thotë t’i kenë munguar shoqet dhe shokët e klasës.

“Kushtet në shkollë janë shumë të mira, por mësimi vetëm me një nxënës nuk është i mirë. Kam arritur të mësoj mirë, por kisha pasur dëshirë që të jemi më shumë nxënës, pasi që do të bashkëpunonim, do të mund të shkëmbenim ide me njëri tjetrin”, thotë Elvira, citon REL.

Elvira do të jetë e vetme në klasë vetëm edhe për një vit, pasi që së bashku me familjen pritet të shpërngulet në Prishtinë, ku edhe do t’i vazhdojë mësimet në ndonjërën nga shkollat e kryeqytetit. Ekspertët e arsimit në Kosovë, vazhdimisht kanë theksuar se duhet të rishqyrtohet rrjeti i shkollave, pasi që sipas tyre, këto shkolla me numër të vogël të nxënësve kanë shpenzime të mëdha, por edhe në një mënyrë atakohet edhe cilësia për shkak se mungon numri kritik i nxënësve brenda klasës.

Ata kishin vlerësuar se do të ishte shumë më racionale që ata nxënës të transportohen në një shkollë tjetër, sesa të të investohet në ato paralele të vogla.
Numri i vogël i nxënësve në këto shkolla, çdo vit e më shumë po shënon rënie, pasi që shpërnguljet nga zonat rurale në ato urbane po vazhdojnë.

Kjo rënie e numrit të nxënësve nga viti në vit është shënuar edhe në shkollën e mesme të ulët në Dabishec.

Drejtori i shkollës Hamdi Hyseni, thotë se aktualisht në fshatin Dabishec nuk jetojnë më shumë se 15 familje dhe ky numër është në rënie e sipër.

“Kemi 47 nxënës, por numri i nxënësve është në rënie, kjo për arsye të kushteve ekonomike jo të mira të familjeve. Punë këtu në fshat nuk ka dhe banorët po gjejnë punë në Prishtinë dhe prandaj edhe po largohen. Në shkollë për momentin kushtet nuk janë të këqija. Komuna e Prishtinës ka bërë transportin për arsimtarët që vinë nga Prishtina, po ashtu kanë bërë edhe transportin për nxënësit. Lagësia e çdo nxënësi nga shtëpia në shkollë është 6 kilometra”, thotë Hyseni.

Për mësimin në këto paralele të kombinuara flet mësuesja Shkurte Gashi Halimi. Ajo thotë se procesi mësimor në të njëjtën kohë me nxënësit e klasës së parë dhe të tretë, nuk është aspak i lehtë.

“Ne jemi në klasë të kombinuara, është pak e vështirë, më e vështirë është për fëmijët në aspektin e mësim nxënies, po ashtu edhe për neve mësimdhënësit nuk është e lehtë, të transformohesh brenda të njëjtës orë në dy njësi të ndryshme mësimore. Orën e ndaj në gjuhë dhe matematikë. Për shembull, për klasën e parë mbajmë orën e matematikës për klasën e tretë orën e gjuhës shqipe. Përparësi i japi nxënësve të klasës së parë pasi që janë më të vegjël”, tregon ajo.

Halimi thotë se mësimi në klasë të kombinuara dhe mësimi me pak nxënës ka mangësitë e veta.

“Fëmijët kanë dëshirë të bëjnë edhe gara, pra hyjnë në garë me njëri tjetrin, kërkojnë më shumë prej vetës dëshirojnë të marrin një notë më të mirë, të dinë më mirë se shoqja apo shoku. Konkurrenca e nxjerr edhe cilësinë. Por, këtu nuk mund ta bëjnë këtë pasi që janë në numër të vogël”, thotë ajo.