Shkurt.ch

Ministri Burkhalter bën apel për heqjen e dënimit me vdekje

Burkhalter që nga viti 2012 ka apeluar për një ndalim gjithëbotëror të dënimit me vdekje, ndërsa këtë vit apelin e tij e kanë nënshkruar edhe 17 ministra të tjerë të jashtëm

Ministri i jashtëm i Zvicrës, Didier Burkhalter, në ditën ndërkombëtare kundër dënimit me vdekje ka bërë një apel për heqjen e këtij dënimi kudo në botë kua ai ende zbatohet. “Zvicra e kundërshton dënimin me vdekje gjithkund dhe në të gjitha rrethanat”, ka thënë ministri zviceran në prag të ditës së përmendur që është nesër, më 10 tetor dhe që shënohet nga viti 2003.

Burkhalter që nga viti 2012 ka apeluar për një ndalim gjithëbotëror të dënimit me vdekje, ndërsa këtë vit apelin e tij e kanë nënshkruar edhe 17 ministra të tjerë të jashtëm të vendeve si: Atrgjentina, Australia, Benini, Brazili, Burkina Faso, Kostarika, Fixhi, Haiti, Letonia, Madagaskari, Meksika, Mongolia, Norvegjia, Filipinet, Polonia, Spanja dhe Turqia.

“Ekzekutimet nga shteti nuk kanë vend më në shekullin 21” thuhet veç tjerash në apelin e përbashkët. Nuk ka argumente për efektin frikësues të dënimit me vdekje dhe nga ana tjetër ky dënim nuk është as ngushëllim ose dëmshpërblim  viktimën.

Në botë janë 38 vende në të cilat dënimi me vdekje është në kodin penal dhe ai zbatohet në mënyrë të rregullt. Mes tjerash aty hyjnë shtetet si: Arabia Saudite, Pakistani, Irani, SHBA, Kina, Japonia etj. 103 shtete e kanë hequr dënimin me vdekje plotësisht ndërsa 60 të tjera e njohin këtë dënim por nuk e aplikojnë prej më shumë se dhjetë vitesh.