Kosova

Ministri Bytyqi pret në takim ambasadorin e Maqedonisë në Kosovë

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë Shyqyri Bytyqi ka pritur sot në takim ambasadorin e Maqedonisë, Ilia Strashevski. Ministri Bytyqi ka treguar se takimi ka pasur të bëjë rreth lehtësimit të nistrifikimit të diplomave mes dy shteteve.

“Bashkëpunimi rajonal është në të mirë të ngritjes së cilësisë në arsim në të gjitha vendet e rajonit dhe MAShT është e hapur për bashkëpunim, sidomos me vendet fqinje. Në mesin e temave që janë planifikuar të diskutohen në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive është edhe njohja e diplomave mes dy shteteve dhe mundësitë e lehtësimit të procedurave për nostrifikimin e tyre, si dhe mobiliteti i studentëve, profesorëve, etj”, shkruan Bytyqi në rrjetin social Facebook.

Ai tregon se Ambasadori Strashevski ka theksuar se Maqedonia ka një bashkëpunim të mirë me Kosovën në fushën e arsimit, por ka hapësirë për thellimin e bashkëpunimit.

“Gjithashtu, përmendi faktin se tashmë është duke funksionuar edhe Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, ku Kosova mund të japë kontribut në zhvillimin e këtij Universiteti. Gjatë këtij takimi, bashkëbiseduam edhe për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e shkencës, në mënyrë që të të dy vendet të përfitojnë nga fondet e Bashkimit Evropian me projekte të përbashkëta”, shkruan Ministri i Arsimit.