Kosova

Ministri i drejtësisë premton hetimin e pasurisë së zyrtarëve publikë

“Do të krijojmë mekanizma efikas, do të krijojmë politika, të cilat do të mundësojnë që ajo pasuri kudo qoftë, qoftë te zyrtarë, qoftë te bizneset, që është e pajustifikueshme, t’i kthehet shtetit"

Sot ka filluar punëtoria dyditore e organizuar nga TAIEX dhe Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK), e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, me temën “Menaxhimi i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara”.

Abelard Tahiri, ministër i Drejtësisë, me këtë rast ka paralajmëruar hetim të pasurisë së zyrtarëve publikë, raporton Ekonomia Online.

“Në fillim të punës time kam filluar për planifikim ndryshimet, për ligjin i cili ndëshkon krimin e organizuar dhe korrupsionin”.

“Do të krijojmë mekanizma efikas, do të krijojmë politika, të cilat do të mundësojnë që ajo pasuri kudo qoftë, qoftë te zyrtarë, qoftë te bizneset, që është e pajustifikueshme, t’i kthehet shtetit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai

Ndërsa asistenti ligjor në zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Mihalchuk, ka thënë se konfiskimi nuk është i përmendur në marrëveshjen e MSA-së sepse është zëvendësuar me diçka tjetër.

Ai ka shtuar se institucionet e Kosovës  do të kenë mbështetjen e BE-së në luftën kundër krimit të organizuar përmes EULEX-it.