Kosova

Ministri i Kulturës ngushëllon familjen për vdekjen e aktorit Blerim Peci

“Ndarja e hershme e Blerim Pecit është humbje e rëndë jo vetëm për ju, familjen dhe miqtë, por është humbje dhe do të jetë mungesë e madhe për artdashësit dhe kulturën e Kosovës"

Aktori i njohur kosovar Blerim Peci, i cili ka vdekur sot në orët e hershmet mëngjesit do të varroset rreth orës 16:00 në varrezat e Shipolit në Mitrovicë. Ndërsa nga ora 13:00 deri në ora 15:00 do të ketë homazhe për veprën dhe jetën e aktorit Peci.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka ngushëlluar familjen Peci me rastin e ndarjes nga jeta të Blerim Pecit, duke thënë se janë të shokuar dhe të pikëlluar nga lajmi për vdekjen e parakohshme të aktorit të njohur.

“Ndarja e hershme e Blerim Pecit është humbje e rëndë jo vetëm për ju, familjen dhe miqtë, por është humbje dhe do të jetë mungesë e madhe për artdashësit dhe kulturën e Kosovës. Ne e kujtojmë me pietet dhe respekt angazhimin dhe kontributin e tij të çmuar dhënë për kulturën e Kosovës”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.