Shqipëria

Ministrja e Kulturës, Kumbaro, debaton me artistët për ligjin e ri

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, gjatë një diskutimi në një studio televizive me artistet Arben Derhemi, Altin Basha, Genc Fuga, Gëzim Kame dhe Robert Budina kanë folur për protestat e këtyre të fundit. Në këtë diskutim ka pasur polemika të shumta mes palëve, përcjell albinfo.ch.

Ministrja Kumbaro sqaroi pikat që ndryshojnë në Ligjin për kulturën. “Nismë e Ministrisë së Kulturës për disa amendamente të ligjit që synojnë 2-3 elementë që do t’i cilësoja decentralizues. Neni 26, që ka të bëjë me financimin, ishte edhe pika kryesore për këtë nismë. Ky nen e përjashton Ministrinë e Kulturës nga tenderët, por të shkojë drejtpërsëdrejti tek produkti. Tenderimi shikohet në aspektin ekonomik dhe jo gjithmonë përzgjidhet cilësia më e mirë”, u shpreh ajo.

Regjisori Altin Basha ishte ndër kritikuesit më të mëdhenj të ligjit. Ai kërkoi informacione pse u hoq “Qendra e Artit”. E duke mbrojtur vendimin e marrë, Kumbaro u shpreh se heqja e “Qendrës së Artit” u bë për shkak se ishte një dublim i një drejtori tjetër brenda institucionit që ajo drejton.