Ndërtuesit e Zvicrës

Misioni i artit të arkitekturës: Të lësh gjurmë ekzistence

„Ndërtesat e mia do të jenë trashëgimia ime. Ato do të flasin gjatë për mua, atëherë kur unë nuk do të jem më“ Julia Morgan, pionere arkitekte nga Kalifornia

Çfarë dhe për çka po ndërtojmë sot? Vetëm për banim, për të krijuar një pamje më të mirë, apo edhe për të lënë shenjën tonë diku në botë!

Besoj se këto mund të jenë ndër pyetjet e shpeshta që sillen në kokën e një arkitekti, tek vë vijëzat e para në punimin e ndonjë plani për ndonjë objekt.

Edhe pse kishim lënë takimin në orën 14:00, Arbenin në atë kohë e gjetëm të përqëndruar në monitorin e kompjuterit, ku po i detajonte edhe ca gjëra që kishin të bënin me një nga projektet e tij të radhës.

Vështirësitë e regjistrimit, deri te injorimi

Nuk kishte festuar ende ditëlindjen e tij të parë në Kosovë, e për arsye familjare Arbeni zhvendoset në Zvicër. Qysh gjatë shkollimit të obligueshëm fillor, ai fillon të jepet shumë pas vizatimit, ku punonte edhe portrete të ndryshme.

Dalëngadalë fillon t‘i zgjojë interes edhe arkitektura, kur atëherë si fëmijë magjepsej me arkitekturën e lashtë romake. Kështu vazhdon deri në përfundim të shkollimit fillor, kur edhe fillon të bëjë kërkesën për ta kryer shkollimin profesional në drejtimin e Arkitekturës.

Përderisa shumë nga shokët e tij tashmë kishin kohë që kishin siguruar vendet për të kryer shkollimin profesional, Arbeni tërë kohën injorohej nga kompanitë në të cilat aplikonte.

„Si i huaj që isha, të aplikosh në atë kohë për arkitekturë dukej çmenduri, duke parë mënyrën se si trajtoheshin të huajt, e në veçanti në zanatet që konsideroheshin elitare“, rrëfen Arbeni për vështirësitë që kishe hasur në fillet e tij për t‘u bërë një arkitekt.

Përkundër rekomandimeve të prindërve për ndonjë zanat tjetër, këmbëngulësia e tij u shpërblye, ku 3 muaj para fillimit të vitit shkollor ai merr përgjigje pozitive nga tri byro të arkitekturës, dhe pasi zgjodhi njërën, edhe i hapet rruga në reailizimin e ëndrrës së tij të madhe.

Ja si lindi „MultiArch“

Pas përfundimit me sukses të zanatit dhe provimit të maturës, regjistrohet edhe në studimet universitare për arkitekturë, ku përgjatë 4 vjetëve të studimeve ai kishte punuar në kompani të ndryshme pothuajse tërë kohën.

Gjatë kohës së studimeve Arbeni kalonte shumë kohë bashkë me studentë të tjerë, e që vinin po ashtu nga vende të ndryshme, ku edhe filluan të quheshin si „Multivitamine Grup“ apo shkurt „Multi“, emër ky që më vonë pas studimeve do t‘i shërbejë atij për ta emërtuar byronë e tij të arkitekturës, me ç`rast pas shtimit të prapashtesës -arch, doli edhe emri „MultiArch“.

Hapjen e kompanisë së tij ia mundësoi një biznesmen tjetër shqiptar në Zvicër, ku Arbeni së bashku me një shok të studimeve, po ashtu shqiptar, hyjnë njëmend në botën e madhe dhe të pafund të arktitekturës.

„Braktisa punën në një kompani serioze dhe iu futa një aventure me jo pak rrezik, ku na mungonin në fillim shumë gjëra“, tregon Arbeni për fillet e tij si arktitekt i pavarur.

Oferta e parë për plan të shtëpisë, i vjen nga një shqiptar 

Duke qenë edhe vetë shqiptar, ishte po ashtu oferta e parë po nga një bashkëkombës për t‘i bërë planin e shtëpisë. Megjithëse tashmë me 6 vjet përvojë në këtë fushë, ai ende e kujton në detaje projektin e tij të parë në Willisau, ku pos që ndjehet krenar që shqiptarët në Zvicër po ndërtojnë shtëpitë e veta, ai ndihet edhe i privilegjuar që pronari i shtëpisë, nga qindra byro të tjera të arkitekturës, ndërtimin e shtëpisë së vet ia kishe besuar pikërisht Arben Qehajës dhe byrosë „MultiArch“.

Edhe pse tashmë mbi 90 % e klientëve të tij janë shqiptarë, ai ende e ndjen atë krenari që kishte në fillim, përderisa është shumë falënderues ndaj tyre.

Si një ndër projektet e para dhe shumë të suksesshme të „MultiArch“, llogariten edhe 3 objekte banimi në Dietikon të Zürich-ut, ku kompania vetë kishte blerë tokën ndërtimore, e pa ndonjë ndërhyrje të jashtme ka bërë planin dhe ndërtimin e atyre shtëpive të gatshme për banim, me vlerë nga 1.5 deri në 2 milionë franga zvicerane, një referencë shumë e mirë për punën e mëtutjeshme të „MultiArch“.

Por, ndër problemet me të cilat shpesh has Arbeni janë edhe kredia apo financimi nga bankat. Pas kërkesës së ndonjë klienti për ndonjë projekt, ai pamundësohet, ose edhe ndonjëherë duhet të modifikohet për t‘iu përshtatur kredisë së lejuar nga banka. E nga kjo ndodh ndonjëherë që puna e Arbenit të shkojë pothuajse huq, në rast të mosfinancimit të ndërtimit nga banka.

Funksionalizimi dhe stilizimi i hapësirave të brendshme

Problem tjetër e sheh edhe konkurrencën ndonjëherë jokorrekte nga konkurrentët e tjerë, ku pas planit ideor të bërë nga ai, klienti e merr atë plan e shkon te një tjetër, e cili bën punën e njëjtë me një kosto më të ulët.

Edhe pse me një ekip mjaft solid, gjatë këtyre 6 vjetëve „MultiArch“, me Arbenin në krye, ka realizuar afro 40 objekte të ndryshme.

Duke u bazuar shumë në stilin e tij, e duke ndjekur trendet e reja të arkitekturës, ai shpesh merr parasysh edhe kërkesat e klientëve të tij, për çfarë, siç thotë edhe vetë, ka mësuar shumë se si të jetë një objekt më funksional, duke kombinuar stilin e tij dhe kërkesat e klientëve.  Por, ai pas kërkesës për ndonjë plan rezervon takim vetëm me klientin, për të marrë sa më shumë informacion mbi të, apo edhe stilin e tij të jetës, e ku më pas vijnë edhe idetë e para se çfarë t‘i prezantohet me të vërtetë klientit.

Arbeni nuk beson në atë se ka arkitekt të mirë apo të keq, sepse kjo punë është çështje e shijes. Por, e rëndësishme për të është që për klientin, në bazë edhe të shumë rrethanave të tjera, të zbulojë apo të nxjerrë më të mirën për të.

Duke qenë se ishte i dhënë shumë pas vizatimeve, apo pas artit, e duke u bazuar në punën e tij të tanishme, ku hapësirave brenda objekteve i kushton një rëndësi shumë të madhe, punës së Arbenit do t‘i përshtatej më shumë se gjithçka thënia e njërit prej arkitektëve më të mëdhenj amerikan, Frank Lloyd Wright: “Hapësira është frymëmarrja e artit“, që, për koincidencë është ndër më të preferuarat e Arbenit.

Nuk ka arkitekt të mirë apo të keq

Arbeni nuk beson në atë se ka arkitekt të mirë apo të keq, sepse kjo punë është çështje e shijes. Por, e rëndësishme për të është që për klientin, në bazë edhe të shumë rrethanave të tjera, të zbulojë apo të nxjerrë më të mirën për të.