CH-Ballkani

Misioni Katolik Shqiptar, aktivitet triditor kushtuar Vitit të Skënderbeut

Nga 26 deri 28 janar 2018 Misioni Katolik Shqiptar në Thurgau organizon ditët përkujtimore për nder të Vitit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut

Misioni Katolik Shqiptar në Thurgau organizon tri ditë përkujtimore për nder të Vitit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, bën të ditur për albinfo.ch Don Albert Demaj, udhëheqës i Misionit Katolik Shqiptar për Zvicrën Lindore, me seli në Sirnach (TG).

Manifestimi hapet të premtën, më 26 Janar 2018 me fillim në ora 19:00 në Qendrën e Misionit, në adresën: Fischingerstr 66 8370 Sirnach me një akademi solemne. Marrin pjesë me ligjërata: Mr Arben Arifi, veprimtari, studiuesi dhe prifti arbëresh nga Kalabria At Antonio Beluschi dhe don Lush Gjergji nga Kosova. Në fund do të shfaqet një film i gazetarit Rexhep Rifati që bën fjalë për përjetësimin e figurës së Gjergj Kastriotit, Skënderbeut në mesin e arbëreshëve të Italisë.

Me dy interpretime në piano nga fondi i muzikës klasike paraqitet pianistja e njohur shqiptare me qëndrim në Gjenevë, Ermira Zyrakja.

Në ditën e dytë të aktivitetit, më 27.01.2018 do të mbahet mbrëmja artistike në të cilën Ansambli „Arbëresha“ paraqitet me një koreodramë për Gjergj Kastriotin. Në këtë mbrëmje merr pjesë edhe grupi folklorik “Vëllezërit Arbëreshë” nga Kalabria ndërsa në fund këndon këngëtari mirënjohur, Sinan Vllasaliu.

Mbrëmja fillon në ora 19:00 në Industriestr 2 9552 Bronschhofen. Hyrja 20 CH.

Të dielën, ditën e tretë dhe të fundit, më 28.01.2018 mbahet mesha në Frauenfeld me fillim në orën 13:00, e udhëhequr nga don Lush Gjergji, thuhet në njoftimin e dhënë nga Don Albert Demaj, udhëheqës i Misionit Katolik Shqiptar për Zvicrën Lindore, me seli në Sirnach (TG).