CH-Ballkani

Mlladiq dënohet me burgim të përjetshëm

Tribunali i Hagës e ka dënuar me burgim të përjetshëm të ashtuquajturit “Kasapi i Ballkanit” Ratko Mlladiq, për krime lufte dhe gjenocid në Bosnjë e Hercegovinë, shkruan albinfo.ch.

Ai është shpallur fajtor për 10 nga 11 akuzat që ngarkohej nga prokuroria e këtij Tribunali i Hagës.

Ai nuk ishte i pranishëm në sallë, pasi u përjashtua më herët për shkak se u bërtiste gjykatësve.

Incident para vendimit

Para vendimit të të akuzuarit të Hagës, Ratko Mladiq, para ndërtesës së Gjykatës në Hagë sot në mëngjes ndodhi një incident kur para familjeve të viktimave u paraqit një burrë me flamurin serb.

Flamurin nga personi në fjalë u përpoq ta merrte kryetarja e Shoqatës “Gratë-viktima të luftës” Bakira Haseçiç, kurse më pas reagoi edhe policia e cila qetësoi situatën.

Haseçiç pas incidentit deklaroi se “është e dhimbshme dhe trishtuese që sot para Gjykatës së Hagës të glorifikohet gjenocidi, agresioni, përdhunimet masive të grave jo serbe, kryesisht boshnjaket. Unë jam një nga ato mijëra gra të përdhunuara”.